Kosova kërkon vettingun në drejtësi

schedule21:27 - 28 Janar, 2022

schedule 21:27 - 28 Janar, 2022

Pjesëtarë të organizatave joqeveritare, që vëzhgojnë punën e sistemit të drejtësisë, bën thirrjet të premten që Vetingu në sistemin prokurorial dhe gjyqësor në Kosovë të bëhet me konsensus ndërmjet partive politike e institucioneve të drejtësisë dhe në bashkërendim me komunitetin ndërkombëtar.

Këto thirrje ishin pjesë e një debati të organizuar nga lëvizja Fol dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike, me temën “Rrugëtimi i Kosovës drejt Bashkimit Evropian: Sfidat në drejtësi”.

Qeveria e Kosovës tashmë është duke punuar në projektligjin për Vetingun të sistemit të drejtësisë, e cila sipas tyre, është zgjidhja e vetme për reformimin e këtij sistemi.

Sekretari i ministrisë së Drejtësisë, Lulzim Beqiri, tha se deri më tash janë trajtuar mbi 20 dokumente ndërkombëtare dhe janë modelet e mbi dhjetë vendeve që kanë kaluar procesin e ngjashëm të Vetingut në gjithë botën.

“Me vendim të qeverisë është themeluar grupi punues për ndryshimet ligjore dhe kushtetuese sa i përket vetingut, ku janë të përfshira të gjitha institucionet e drejtësisë, kemi përfaqësues nga presidenca, kuvendi dhe organizatat e shoqërisë civile të cilat ndër vite kanë dhënë kontributin e tyre sa i përket monitorimit të sektorit të drejtësisë dhe para disa ditëve ne kemi përgatitur edhe dispozitat e para propozimet për dispozitat e para kushtetuese të cilat i kemi diskutuar me grupin punues dhe tash jemi duke punuar në projektligjin për Veting”, tha ai.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se organizata e tij e mbështet Vetingun por kërkon konsensus të gjer për këtë çështje.

“Kemi kërkuar që para se me iniciu me këtë ide me koncept-dokument e ligj, do të ishte mirë që të kemi një koordinim, një bashkëbisedim të sinqertë konsultativ me partnerët ndërkombëtarë. Kemi paralajmëru çdo ministër që e kemi një ambasadë britanike që e ka nda mendjen me shku përpara me Veting por kemi zyrën e Bashkimit Evropian dhe ambasadën amerikane që kanë ende disa paqartësi, kështu që e para ka qenë që qeveria, ministria me pas një dialog të sinqertë me partnerët ndërkombëtarë”, thotë zoti Miftaraj.

Ai tha se Vetingu është trashëgimia më e mirë për një qeveri dhe për këtë arsye kërkohet konsensus që sipas tij nuk po shihet aktualisht.

Donikë Qerimi, profesoreshë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës tha se nisma për Veting duket si një masë agresive për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe se për të çuar përpara këtë nismë duhet patjetër të ketë konsensus brenda Kosovës.

“Prandaj kjo është shumë me rëndësi për ministrinë e drejtësinë, për qeverinë në përgjithësi dhe institucionet e drejtësisë dhe për shoqërinë civile, është e rëndësishme që të ndajmë të gjithë vizionin e tyre që të kemi të gjithë vizionin e përbashkët për diçka si Vetingu. Është tepër e rëndësishme, nuk është çështje vetëm se si duket për publikun por është me të vërtetë një kriter ligjor, do të thotë Komisioni i Venedikut do ta vlerësoj edhe nismën e Vetingut në Kosovë me atë se a ka me të vërtetë një konsensus nacional për diçka që është kaq e madhe dhe diçka që është kaq reformuese”, tha ajo.

Vettingu është proces që synon shqyrtimin e së kaluarës së bartësve të sistemit dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar brenda sistemit gjyqësor dhe prokurorial të vendit. Organizatat vendase dhe ato ndërkombëtare vazhdojnë ta paraqesin sistemin e drejtësisë në Kosovë si të brishtë, me mungesë të besimit nga ana e qytetarëve dhe si të ndikuar nga politika.

Që nga përfundimi i luftës, sistemi i drejtësisë në vend ka mbetur fusha më e kritikuar, me gjithë ndryshimet e shpeshta të ligjeve dhe investimeve të mëdha nga institucionet ndërkombëtare./ VOA