Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha për “Sheshi i Dollarit” me gazetaren Genta Dobra, se Kosova duhet të ketë një pozicionim të ri në Procesin e Berlinit. Ai thotë se ky proces duhet të depolitizohet dhe të lidhet përmes projekteve të konkretizuara ekonomike.
“Nga një tërësi e mundësive për Kosovën nga Procesi i Berlinit që janë shfrytëzuar vetëm 163 milionë euro, mjafton të thuhet se sa larg dhe afër jemi në këtë drejtim prandaj besoj se Kosova ka nevojë për një pozicionim të ri ku vërtetë me procesin e Berlinit do të lidhet përmes projekteve të konkretizuara ekonomike dhe jo gjithmonë do të tentohet të gjendet arsyetim në ndëshkim. Një ndër këshillat kryesore të Procesit të Berlinit, është lidhshmëria me Ballkanin Perëndimor, komplet infrastruktura rrugore në Kosovë është financuar nga buxheti i shtetit ndërsa Serbia ndërton hekurudhën nga Beogradi drejt Hungarisë dhe drejt Nishit, në Kosovë ajo pjesë nga Merdara deri në Prishtinë duhet të financohet me mjete rrethanake. Prandaj duhet të ndryshohet qasja dhe të kuptohet Procesi i Berlinit si një mundësi që kërkon angazhim, profesionalizëm dhe mbi të gjithë llogaridhënie sepse në fund të fundit, mjetet e destinuara, nëse nuk do të ketë alokim, ata do të kthehen pas dhe në këtë mënyrë Kosova duket e humbur. Por ajo që është më me rëndësi është një qasje tjetër në sektorin privat. Duhet të pranohet e vërteta që në Ballkanin Perëndimor, shumë hapa më të avancuar kanë bërë biznesmenët dhe bashkëpunimi ekonomik mes bizneseve sesa mes politikës.”, theksoi ai.
Ai thotë se nuk mund të ketë zhvillim ekonomik dhe lidhje mes shteteve të Ballkanit Perëndimor për aq kohë sa nuk ka stabilitet politik.
“Problemi më i madh është që biznesmenët në Ballkanin Perëndimor po i ngufat politika. Ky proces duhet të depolitizohet dhe të marrë konotacion më tepër ekonomik, më e mira që implementimi i Procesit të Berlinit të trajtohet si traktati i Romës i vitit 1957. Le të jetë ekonomia që drejton ura drejt ardhmërisë dhe zëri i bizneseve. Nuk mund të ketë zhvillim ekonomik dhe konjektivitet mes shteteve të Ballkanit Perëndimor pa stabilitet politik dhe po e shihni që në mos zgjidhen problemet mes Kosovës dhe Serbisë po ngulfatet i tërë Ballkani Perëndimor dhe jo vetëm dy vendet.”, u shpreh ai./abcnews.al