Kosova ka gjithçka: elozhe, tension dhe “besa besë”

schedule12:29 - 15 Tetor, 2019

schedule 12:29 - 15 Tetor, 2019

Kosova zhvilloi një tjetër ndeshje të madhe. Dardanët e kishin jetik triumfin përballë Malit të Zi dhe ia dolën të fitonin. 2-0 u mbyll dueli i zhvilluar në “Fadil Vokrri” të Prishtinës, aty ku shënuan Amir Rrahmani dhe i përhershmi Vedat Muriqi.

Djemtë e Challandes zgjidhën gjithçka në pjesën e parë. Mund të kishin shënuar më shumë, por rëndësi kanë tre pikët. Kjo fitore e ngjit Kosovën në kuotën e 11 pikëve në Grupin A, një më pak se Çekia e vendit të dytë dhe katër më pak se anglezët kryesues.

Skuadra luajti shumë mirë dhe rëndësi ka që nuk pësuam. Kemi qarkulluar topin, krijuam raste dhe duhet të shënonim më shumë“, u shpreh Bernand Challandes, trajneri zviceran i Kosovës.

Lojtarët duke festuar golin e parë të Rrahmanit

Për ndeshjen foli edhe Vedat Muriqi. Bomberi i Fenerbahce shënoi golin e katërt në këto eliminatore, ndërkohë që numëron dhe dy asiste të dhuruara për shokët e skuadrës. 25-vjeçari po kalon momentin më të bukur në karrierë, teksa ka shënuar edhe 3 gola në kampionatin turk.

Tifozët menduan t’i bënin një surprizë të bukur dhe koreografia e tyre kishte atë në qendër të saj. “Besa Besë”, ishin fjalët e zgjedhura, duke dhënë një mesazh të bukur për heronjtë e tyre.

Koreografia e tifozë për Vedat Muriqin

Mund të fitonim më thellë, por rëndësi ka fitorja. Pata pesë raste të pastra dhe dëshiroja të shënoja më shumë. Gjithsesi, nuk jam i zhgënjyer aspak pasi ekipi arriti të fitojë“, theksoi Muriqi pas triumfit të fundit.

Nëse tifozët e Malit të Zi tentuan të shfaqin anën e tyre të egër dhe nuk munguan incidentet me forcat e sigurisë, trajneri dhe shtypi i kundërshtarëve nuk i ka kursyer elozhet për Dardanët.

Shtypi malalazez

Dua të përgëzoj Kosovën për fitoren e arritur. Ata janë një skuadër shumë e mirë, shfrytëzuan dobësitë tona, zhvilluan një ndeshje fantastike dhe u uroj suksese në vijim“, komentoi Faruk Hadzibegic.

Mali i Zi pa asnjë rast në Prishtinë, dukej sikur po luanim me Anglinë“, ishte titulli i malazezes Vijesti. Ëndrra e kualifikimit vazhdon dhe Kosova i ka kartat në rregull për t’ia dalë. Finalja e madhe do të zhvillohet në Çeki, aty ku djemtë fluturues të Challandes do të bëjnë të pamundurën për të mposhtur për herë të dytë kundërshtarët dhe për t’i dhuruar një gëzim të madh gjithë tifozëve shqiptarë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!