“Kosova është në ngërç të thellë”, ish-këshilltari i Thaçit: Kurti dhe Osmani janë përgjegjësit kryesorë

schedule14:10 - 30 Nëntor, 2023

schedule 14:10 - 30 Nëntor, 2023

PRISHTINË- Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, Ekatherina Trandafilova, ishte dje për vizitë në Kosovë. Por vizita e saj nuk ishte e mirëpritur nga një prej subjekteve politike, e cila protestoi për ardhjen e saj.

Policia e Kosovës, vuri në pranga kryetarin e Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqajn, në protestën e kësaj partie kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale. Por si janë parë këto zhvillime në Kosovë nga njohësit dhe analistët?

Ish-këshilltarit të presidentit Hashim Thaçi, Artan Behrami, tha se arrestimet e djeshme kanë pasur prapavijë politike, duke theksuar se znj, Trandafilova për punën e Gjyktatës Speciale nuk raporton në Kuvendin e Kosovës, i cili e ka formuar, por tek UNMIK përmes EULEX. Sipas tij, Trandafilova, vjen në Kosovë për show, sa herë Gjykata Speciale është në krizë të thellë.

Ai theksoi se qeveria Kurti i hapi derën një drejtuese të tillë, e cila pak ditë më parë ish-udhëheqësit e UÇK-së i izoloi duke ua hequr të drejtën për t’u vizituar nga familjarët e tyre.

“Ka pasur prapavijë politike meqë kryetarja e Gjykatës Speciale Tradafilova në Kosovë nuk vjen për të raportuar për punën e Speciales, sepse raportimin e bën në UNMIK  përmes EULEX. Raportimin nuk e bën te Kuvendi i Kosovës, i cili e ka themeluar, por e bën tek UNMIK. Në Kosovë znj.Tradafilova vjen për show mediatik dhe politik dhe gjithmonë vjen kur Prokuroria e Gjykatës Speciale është në krizë të thellë edhe të legjitimitetit dhe të asaj se çfarë ndodh në sallën e gjyqit. Dje u përdor forcë ndaj protestuesve dhe ndaj gazetarëve  nga qeveria e Albin Kurtit, e cila dje ia hapi dyert znj.Trandafilova, ku kjo e fundit vetëm tre ditë më parë ua mbylli dyert krerëve të UÇK dhe i izoloi ata nga familjarët e tyre dhe nga njerëz që dëshirojnë t’i vizitojnë ato”, tha ai.

Gjatë intervistës në “Tirana Live”, Behrami u shpreh se Kosova është në një depresion të thellë dhe për këtë bëri përgjegjës kryeministri Kurti dhe presidenten Osmani.

“Kosova është në një ngërç të thellë, është në një depresion të thellë. Kurti sa ka qenë në opozitë ka ndjell gjithmonë ngjarjet e këqija dhe unë mendoj se elitat politike janë përgjegjësie që t’i mbajnë edhe popullatën të motivuar, ju kujtohet Ibrahim Rugova, në ditë më të errëta, ka thënë se Kosova do të bëhet e pavarur, në mesin e luftës dhe gjenocidit, Hashim Thaçi, ishte shumë pozitiv, duke thënë se liria do të vijë dhe pavarësia do të vijë. Kemi pasur elita politike që kanë qenë shumë pozitive, dhe tash e tri vjet kemi Osmanin dhe Kurtin, të cilët çdo ditë flasin për luftë, për fatkeqësi, për ushtri, për keqësim të situatës në veri që jemi në prag të luftës dhe me një narracion të tillë është shumë vështirë që në Kosovë të ketë parashikueshmëri. Nga kjo retorikë luftënxitëse e elitave politike në Kosovë, shumë të rinj janë duke lënë Kosovën. Këtë retorikë Kurti e përdor edhe në dialog”, tha ai./ n.m.abcnews.al