Kosova dhe Maqedonia e Veriut reagojnë ndaj sulmeve në bazat amerikane në Irak

schedule13:55 - 9 Janar, 2020

schedule 13:55 - 9 Janar, 2020

Shqiptarët nga Kosova që punojnë në bazën ushtarake amerikane Al Asad në Irak, një nga dy bazat që u godit nga raketat iraniane, konfirmuan se janë shëndoshë e mirë. F.G 41- vjeç, nga Ferizaj, punëtor i kompanisë amerikane – KBR inc tha për mediat në Kosovë se rreth 200 punëtorë nga Kosova, Maqedonia Veriore, Bosnja e Hercegovina punojnë në këtë bazë dhe që nga ora 21:30 e mbrëmjes së të martës kanë qenë të strehuar në bunkere. Ai ka thënë se janë në gjendje gadishmërie, të veshur me jelekë anti-plumb.

Baza ku punojnë ata është disa kilometra larg Bagdatit. Irani sulmoi dy baza amerikane në Irak në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e komandantit të forcave Al Qus, gjeneralit, Qasem Soleimani. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se institucionet e Kosovës po i përcjellin më me vëmendje këto zhvillime që prekin edhe jetën e qytetarëve të Kosovës të cilët punojnë përkrah trupave amerikane në këto baza. Qeveria qëndron përkrah SHBA-së, në ofrimin e paqes dhe sigurisë ne botë, tha Haradinaj duke e konsideruar sulmin akt të rëndë agresioni ndaj SHBA-së.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dënoi sulmet raketore iraniane kundër forcave amerikane dhe aleatëve të vendosura në Irak që janë të fokusuara në mposhtjen e ISIS. Ai nënvizoi se Kosova është anëtar zyrtar i Koalicionit dhe i bëri thirrje Iranit që të dekurajojë dhunën. Presidenti i Kosovës theksoi se Kosova mbetet në mbështetje të SHBA-së dhe familjes atlantike në këtë kohë trazirash.

Ndërkohë Maqedonia e Veriut ka thënë se për momentin nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar për praninë e organizatave joqeveritare në vendet që lidhen me Iranin, pasi Maqedonia Veriore nuk është në interes të tyre. Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska tha se marrëdhëniet diplomatike të Maqedonisë me Iranin janë shumë modeste dhe se vendi nuk ka çështje të hapur me Iranin. Ministrja maqedonase e Mbrojtjes theksoi gjithashtu se nuk duhet të përjashtohet rreziku i radikalizimit nga strukturat islamike që kthehen nga frontet e ndryshme./abcnews.al