Kosova bie 19 vende në indeksin e lirisë së mediave/ Dema: Lajm alarmant, regresi më i lartë për një vend demokratik

schedule16:22 - 3 Maj, 2024

schedule 16:22 - 3 Maj, 2024

Në indeksin vjetor për lirinë e medias nga Reporterët Pa Kufij, Kosova renditet si vendi i 75-të në botë apo 19 vende më poshtë sesa vitin e kaluar që ishte e 56-ta.

Organizata më e madhe botërore për lirinë e medias, jep një sërë arsyesh për përkeqësimin e lirisë së medies në Kosovë, ku e përmend edhe rastin e Klan Kosovës vitin e kaluar, për të cilin thotë se televizioni ishte “subjekt i sulmeve administrative nga qeveria”.

Në një lidhje me Skype për “Ballkan Update”, Naile Dema nga Asociacioni i Gazetarëve e konsideron alarmant si lajm për një vend demokratik, pasi regresi është shumë i madh me 19 vende.

Ajo ka theksuar se kjo është shqetësuese dhe duhet që institucionet shtetërore ta mendojnë mirë qasjen e tyre në raport me median dhe gazetarët në përgjithësi.

“Ka qene lajm nuk mund të them i papritur për ne gazetarët, por alarmant për kohën dhe institucionet shtetërore të cilët me veprimet e tyre ose mosveprimet e kanë radhitur Kosovën në këtë fazë. Nuk mbahet mend që Kosova të ketë pasur një regres të tillë në renditje ndërkombëtare. Përndryshe, raporti i fundit i Reporterëve pa Kufij është dhe një raport më shumë negativ, për sa i përket lirisë së medias në Kosovë në përgjithësi. Natyrisht që kjo është shqetësuese dhe duhet që institucionet shtetërore ta mendojnë mirë qasjen e tyre në raport me median dhe gazetarët në përgjithësi. Supozohet që vendet me zhvillimin e demokracisë të zhvillojnë progres, ose regres në situata të caktuara, në një ose dy vende, megjithëse dhe kjo është e papranueshme që të shënohet për 19 vende duhet të jetë shqetësim të gjithë, veçanërisht për udhëheqësit shtetëror.

Aty përmenden sulmet ndaj gazetarëve, tentimi i mbylljes së Klan Kosovës dhe çështje që kanë ndikuar. Nga ana tjetër po të shohim reagimet e politikanëve të ndryshëm, tentohet të thuhet që Kosova gjendet në një vend të tillë për shkak sulme të shumta që i janë bërë gazetarëve në Veri”, u shpreh ndër të tjera Dema./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!