Korrigjimi i kufijve, Fatmir Limaj: Nuk është diskutuar asnjëherë në tavolinë

schedule20:58 - 20 Maj, 2019

schedule 20:58 - 20 Maj, 2019

Zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, i ftuar në “Mbrëmje ABC”, ka folur për mundësinë e zhbllokimet të dialogut Kosovë – Serbi, për taksën e vendosur nga qeveria ndaj mallrave serbe, për idenë e Presidenti Thaçi për korrigjimin e kufijve si dhe për çështje të brendshme politike.

Mirala Milori: “Menjëherë pas samit të Berlinit ku Merkel dhe Macron e bënë të qartë qëndrimin për idenë e korrigjimit të kufijve ku thanë se do ishte një rrezik shumë i madh për rajonin, zoti Thaçi dhe zoti Rama kanë deklaruar në perspektivë se është një hapje e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Mendoni se është një kundërpërgjigje ndaj frymës së samitit të Berlinit?”

Fatmir Limaj: “Ne kemi arritur një marrëveshje në Pejë për kufijtë që t’i bëjmë të gjitha përpjekjet, të gjitha angazhimet të eliminohet çdo lloj burokracie që pengon lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të mallrave. Është një vendim i qeverive tona në Pejë dhe sot një nga temat ka qenë edhe kjo çështje. Besoj se ka radhë të panevojshme në kufirin në Morinë. Ministritë mes dy vendeve janë duke punuar për të larguar të gjitha pengesat teknike të cilat në një mënyrë apo në një tjetër po pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve. Por Shqipëria dhe Kosova kanë edhe obligime ndërkombëtare ku duken respektuar kufinjt edhe shtetësitë e njëra-tjetrës”.

Mirela Milori: “Zoti Thaçi në një takim që ka pasur me gazetarët këtu në Tiranë është shprehur i prerë që nuk lëkundet nga ideja e tij e korrigjimit të kufijve”.

Fatmir Limaj: “Unë jam bashkëkryesues i delegacionit shtetëror për bisedime me Serbinë. Republika e Kosovës ka bërë shumë përpjekje në muajt e fundit pas shumë tensionesh të çuditshme që kanë ndodhur vitin e kaluar, gjë që nuk ka qenë asnjëherë praktikë në Kosovë, kur ka qenë fjalë për Serbinë. Politika kosovare pozitë dhe opozitë gjithmonë ka qenë e bashkuar në këtë pikë për shkak se kemi qenë duke fol për interesa nacionale të shtetit tonë. Ndërsa që shkoi kemi pas disa situata të çuditshme nganjëherë edhe konfuze dhe për këtë arsye ne kemi marrë një iniciative që procesin ta kthejmë në binarë. Ne kemi nxjerrë një platformë e cila ka gjetur miratimin e krerëve të shtetit dhe është votuar një delegacion shtetëror. Detyrë e Presidenti, Kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, e imja dhe e gjithë të tjerëve është obligimi që ne të respektojmë dokumentin që ka nxjerrë Parlamenti i Kosovës. Nuk ka askush mandat që të flasë përtej atij dokumenti”.

Mirela Milori: “Presidenti Thaçi thotë se ka gjithë autoritetin të përfaqësojë Kosovën në këto bisedim dhe është i bindur se ideja e tij për korrigjimin e kufijve është një ide e cila duhet mbështetur. Është folur ndonjëherë në bisedimet që keni patur me Serbinë për idenë e zotit Thaçi? Ideja e korrigjimit të kufijve është hedhur në tryezën e bisedimeve?”

Fatmir Limaj: “Asnjëherë nuk është hedhur ajo ide dhe asnjëherë nuk mund të bisedohet për atë ide. Pala tjetër mund të hedhe çfarë ideje të dojë, nga pala kosovare nuk është kërkuar asnjëherë.  Ne nuk mund të shkelim Kushtetutën. Ne kemi obligim dhe mandat kushtetues”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!