Koronavirusi/Rama porosit krerët e komuniteteve fetare: Nuk duhet të prekeni, shembull i gabuar

schedule19:39 - 9 Mars, 2020

schedule 19:39 - 9 Mars, 2020

Kryeministri Edi Rama në kuadër të masave të shtuara për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në vendin tonë, pasditen e kësaj të hëne është takuar me krerët e komuniteteve fetare, një takim që kishte në fokus situatën e krijuar për shkak të koronavirusit.

Në këtë takim shefi i qeverisë u ka dhënë disa porosi krerëve të komuniteteve fetare për t’i përcjellë tek përfaqësuesit e tjerë për marrjen e masave. Rama është shprehur se në këtë situatë ku ndodhet vendi ku aktualisht janë konfirmuar dy persona të prekur me koronavirus, se të moshuarit është mirë që të qëndrojnë në shtëpi për të mos pasur kontakte sepse janë më vulnerabël, ndërsa kërkoi që të përcillen tek njerëzit dhe tek klerikët e tjerë rregullat për mbrojtjen nga koronavirusi që në një farë mënyre thyejnë ritualin.

Kjo është një epidemi që prek ata që janë më të moshuar e kanë sëmundje kronike. Nuk kërcënon me jetën moshat e tjera dhe që nuk kanë probleme me shëndetin. Sidomos për këta që janë të dyshuar dhe sidomos për ato momente kur ka një ditë të posaçme në një kishë apo në një xhami kur mblidhen shumë njerëz, aty duhet pasur kujdes që t’i përcillen të gjitha këto rregullat që e thyejnë ritualin në një farë mënyre sepse puthja e dorës, përqafimi, apo qëndrimi shumë ngjitur gjatë kohës që falen njerëzit në xhami, janë disa gjëra që janë mirë të transmetohen dhe këto mund t’i transmetoni ju sepse s’mund t’i thotë qeveria. Dhe nga ana e sensibilizimit disa rregulla të thjeshta. Është një virus i panjohur por jo murtaja”, deklaroi Rama.

Ndërkohë pas përfundimit të takimit kryeministri nuk iu ka dhënë dorën asnjërit prej klerikëve e madje iu ka sugjeruar të mos qëndrojnë afër njeri-tjetrit.

“Nuk duhet të prekeni se jepni shembullin e gabuar. Mos t’i japim dorën njeri-tjetrit, faleminderit shumë”, tha Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!