Koronavirusi/ Papa në gjendje jo të mirë shëndetësore, Vatikani nuk zbulon detaje

schedule16:52 - 1 Mars, 2020

schedule 16:52 - 1 Mars, 2020

Papa Françesku u shfaq këtë të dielë në publik. Katër ditë më parë Vatikani njoftoi se ai po kalon një ftohje të lehtë. Për shkak se Italia është përfshirë nga koronavirusi, shëndeti i Papës u përcoll me interes publik. Papa 83 vjeçar, iu drejtua audiencës, nga dritarja në Sheshin e Shën Pjeter të Dielën, me zë të ngjirur e herë pas here ndërpreu ligjeratën nga kolla.

“Fatkeqësisht, një i ftohtë më detyron të mos marr pjesë këtë vit në trajtesën shpirtërore. Do të ndjek meditimet nga këtu. Unë bashkoj shpirtërisht të gjithë njerëzit që bëjnë ushtrime shpirtërore në shtëpi”, tha Papa.

Pavarësisht kësaj dalje, Ati i shenjtë ka anuluar të tjera takime të parashikuara.

Të mërkurën e shkuar, Papa u fotografua në mes të turmës duke takuar njerëzit. Vatikani nuk ka dhënë detaje nëse Papa është testuar për koronavirus.

Gjate fjalës të dielën, Françesku shprehu dhimbjen për bashkësitë e shumta, që dëbohen nga trojet e tyre për shkak të konflikteve.

“Jam i trishtuar nga lajmet që vijnë prej shumë njerëzish të izoluar, burra, gra e fëmijë, të dëbuar nga shkaku i luftës, shumë migrantë, që kërkojnë strehë e ndihmë nëpër botë. Këto ditë kjo gjë vijon të bëhet edhe më e fortë: të lutemi për ta”, u shpreh ai.

Thirrja e Papës për lutje në favor të popujve që ikin nga konfliktet, përkon me krizën migratore shkaktuar nga shkallëzimi i luftës në rajonin sirian të Idlibit.

Rreth 950 mijë të shpërngulur po ikin nga zona e konfliktit të forcave turke, që mbështesin rebelët, me trupat e ushtrisë siriane, të përkrahur nga Rusia./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!