Koronavirusi në Shqipëri që prej Janarit?! Spahia: Neglizhim prej paaftësisë ose urdhrave politikë

schedule20:38 - 2 Maj, 2020

schedule 20:38 - 2 Maj, 2020

Ish-deputeti Demokrat Bardh Spahia i ftuar në studion e Abc News përballë Sibora Bitrit ka folur lidhur me imazhet pulmonare të publikuara nga mjeku Gëzim Xhepa se koronavirusi ka qarkulluar në Shqipëri që prej muajit janar.

Spahia tha se në Shqipëri nuk është ndjekur strategjia e testimit masiv dhe gjurmimit rast pas rasti, dhe kjo sipas tij për dy arsye, paaftësisë ose urdhrit të qeverisë me qëllim për të fshehur numrin real të infeksioneve.

“Ne si shtet nuk e kemi përdorur dhe jemi munduar ta mbajmë shumë të fshehtë rezultatin radiologjik dhe pacientët pozitivë janë lënë shumë kohë pa trajtim dhe pa gjurmim të kontakteve. Kjo lë dy mundësi, paaftësi ose zgjedhje me dashje siç është parë edhe tendenca për të fshehur ata që vdesin nga koronavirusi. Janë zgjedhur në rrugë që nuk i gjen në asnjë vend tjetër.

Po të shohim grafikun se ku është futur koronavirusi në Shqipëri unë mendoj se mjafton të shohim ato grafiqe dhe atë numër të lartë të personave me simptomatikë të ngjashme me gripin, shumica kanë dalë negativ për gripin dhe nuk janë testuar nëse kanë Covid. Duhet të ishin marrë masa për të analizuar testet e tyre. Nuk kuptoj nëse ekspertët e fushës e kanë neglizhuar prej paaftësisë ose prej urdhrave politikë për të mbajtur të fshehtë numrin e të infektuarve në vendin tonë.

Kjo duhet të studiohet nga epidemiologët. Nuk e kemi informacionin për këtë gjë. Duke iu referuar kryebashkiakes së Shkodrës, ajo ka folur për shifra shqetësuese të vdekjeve në muajt janar-prill. Vonesat kanë ndikuar në përhapjen e koronavirusit në Shqipëri.

Nuk ka një pasqyrë të saktë të situatës në vend, për sa kohë nuk bëhen testime masive. Gjurmimi do të sillte një pasqyrë sa më afër realitetit nëse do realizonim nivelin e duhur të testimeve. Kemi numrin më të ulët të testimeve dhe në këtë situatë nuk mund të bësh aludime”, tha Spahia. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!