Larja e shpeshtë e duarve është një nga këshillat e mjekve për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Për 8 pjesëtarët e familjes Veseli në Fushë Milot e vetmja mundësi është kjo çezmë jashtë shtëpisë. Por aty mungojnë produket bazë për mbajtjen e higjenës.
Që prej termetit të nëntorit ata jetojne në cadër, ku kushtet lënë për të dëshiruar.
Agim Veseli i zoti i shtëpisë, rrëfen për kushtet e vështira në të cilat ndodhet familja e tij dhe pamundësinë për tu kujdesur për 6 fëmijët e tij.
“Jetoj me një rrogë. jemi tetë frymë në këtë çadër, në familje punoj vetëm unë”, shprehet ai.
Vajzat e familjes tregojnë për vështirësitë që po kalojnë.
“Jetojmë në çadër që në datën 26 nëntor, kur ka rënë tërmeti.Kushtet e tona janë shumë të vështira, në nuk e përballojmë dot”, shprehet një nga vajzat.
Më e vogla e familjes Romina, tregon se ka lexuar për rrezikun që sjell ky virus.
“Koronavirusin e kam dëgjuar dhe është një sëmundje shumë e keqe dhe duhet të mbrosh veten. Të mbajmë maska, doreza, të lajmë duart”, shprehet ajo.
Me të njëjtat vështirësi po përballen edhe familje të tjera të prekura nga tërmeti dhe që duhet të jetojnë në çadra./abcnews.al

