Një shkollë jopublike është mbyllur në Tiranë teksa në njoftimin e bërë për nxënësit, prindërit dhe qytetarët, drejtoria argumenton se nuk ka asnjë informacion konfidencial, por si një masë parandaluese të koronavirusit.
Në njoftimin e bërë publik në faqen zyrtare të shkollës, thuhet se, mësimet do të vijojnë normalisht online, ndërsa është parashikuar një afat dy javor për ndërprerjen, dhe frekuentimin e shkollës nga nxënësit.
“Ky vendim nuk duhet parë si reflektim i ndonjë informacioni konfidencial, por si pjesë e dyshimit tonë. Do të thotë që ne nuk kemi informacione më shumë se sa jepen në publik dhe sa dini ju, por marrim masa të natyrshme që prindërit të kenë kohë të marrin masa edhe më të forta në rast se është e nevojshme”, shkruhet ndër të tjera në njoftimin e shkollës “Udha e shkronjave”.
Njoftimi i plotë:
Tiranë, më 23 shkurt 2020
VENDIM
(lidhur me rreziqet e pritshme të shëndetit publik)
Drejtoria e shkollës “Udha e shkronjave”, pas zhvillimeve të fundit të shpërthimit të epidemisë së koronavirusit në Itali dhe pas një konsultimi të ideve të ndryshme të prindërve (secili mori një formular me pyetje), por edhe të specialistëve, vendosi të mbyllë shkollën për një afat dyjavor. (Ky afat mund të shkurtohet ose të zgjatet, sipas situatës.)
Kjo periudhë do t’u shërbejë prindërve për të marrë në konsideratë sa më parë masat pjesore ose tërësore të vetëizolimit dhe për të bërë vetëkarantinën për fëmijët e tyre dhe për të qenë përgatitur psikologjikisht në rast të shpërthimit të epidemisë së koronavirusit.
Ky vendim nuk duhet parë si reflektim i ndonjë informacioni konfidencial, por si pjesë e dyshimit tonë. Do të thotë që ne nuk kemi informacione më shumë se sa jepen në publik dhe sa dini ju, por marrim masa të natyrshme që prindërit të kenë kohë të marrin masa edhe më të forta në rast se është e nevojshme.
Mësimet do të vijojnë normalisht ONLINE në forumet tona dhe që është një praktikë tashmë e provuar si e suksesshme. Orari i nisjes së mësimit online do të jetë 9:00 dhe do të përfundojë në orën 15:00, sipas orarit që ka secila klasë.
Urojmë gjithashtu që kjo masë t’ju shërbejë të gjithëve të marrin masa për njerëzit e tyre të afërm dhe mësuesit dhe stafi ndihmës të kenë kohë gjithashtu të kujdesen për familjet e tyre.
Duke shfrytëzuar prindërit që kemi mjekë dhe farmacistë, mund të na drejtoheni për pyetje ose këshilla të ndryshme. Shpresojmë që do të ndërtojmë një grup mjaft ndihmues për këdo që është në komunitetin e shkollës. Nga ana jonë përgjegjës për situatën, përveç drejtorisë, Artur Shkurti & Mirela Shkurti, do të jetë Fatos Xhemali, me përvoja me shumë vlerë me Kryqin e Kuq. Po ashtu edhe mësuesja e edukimit fizik Bardha Kordhoni.
Artur Shkurti
Drejtor”./abcnews.al