Qeveria e Kosovës ka vendosur mbylljen e menjëhershme të të gjitha bareve dhe restoranteve pas konfirmimit të tre rasteve me koronavirus.
“Mbyllen kafeteritë, baret, pabet dhe restorantet, qendrat tregtare me përjashtim të farmacive dhe marketeve ushqimore”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Zyrtarë të Qeverisë kanë thënë se gjithë ata që nuk e respektojnë këtë vendim do të ballafaqohen me ligjin dhe pasojat ligjore.
Kanë thënë se vendimi është i qartë dhe nuk kanë nevojë për sqarime shtesë.
Pos bareve, janë mbyllur edhe hyrjet dhe daljet në qytetin e Klinës dhe Istogut ku u konfirmuan rastet me koronavirus.
“Mbyllen kufijtë tokësor për udhëtarët që hyjnë në Kosovë, kjo nuk vlen për qytetarët kosovarë, të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët hyjnë përmes këtyre kufijve do t’iu nënshtrohen kontrolleve të shtuara mjekësore me urdhrin që ata të vet izolohen për 14 ditë; Nga data 16 mars 2020 ora 24:00, bëhet pezullimi i përkohshëm i të gjitha linjave të udhëtimit ajror në Aeroportin e Prishtinës, përveç fluturimeve ushtarake, dhe emergjencave medicinale (MEDIVAC). Përjashtim bëjnë linjat e udhëtimit në ardhje me ekuipazh, por pa udhëtarë që shërbejnë vetëm për largim të udhëtarëve nga Kosova”, thuhet në vendimin e qeverisë.