Mëngjesin e së hënës, Ministria e Shëndetësisë raportoi për një infermiere e cila rezultoi pozitiv në testin për covid-19.
Zyrtarisht ajo ka infektuar të paktën 4 paciente.
Njëri prej tyre ka ndërruar jetë mëngjesin e së hënës.
I shtruar prej disa ditësh dhe në gjendje kome pas një hemorragjia cerebrale, pacienti 59 vjeçar nga Puka ka rezultuar pozitiv.
Por Ministria ka vendosur të mos e llogarisë në grupin e viktimave të Coronavirus në Shqipëri, nisur nga fakti se ai nuk kishte shfaqur asnjë prej simptomave të virusit.
Në një komunikim për mediat, Ministria ka theksuar se përpos 59 vjeçarit, janë edhe tre pacientë të tjerë në gjendje të rëndë të cilët rezultojnë pozitiv dhe e kanë marrë virusin nga infermierja e cila u ka shërbyer.
Ata janë dërguar me urgjencë në dy spitale “Covid” në kryeqytet.
Janë të paktën 10 testime, të kryera gjatë ditës së dielë nga ISHP, ndaj pacientëve me të cilët ka patur kontakte infermierja.
Vdekja e 59 vjeçarit shënon rastin e dytë në Shkodër, për të cilin Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se nuk do ti konsiderojë viktima të Covid-19, pavarësisht faktit se kanë rezultuar pozitiv në testimin e kryer nga epidemiologët.
Paraditen e së hënës, Shkodrës iu shtuan zyrtarisht 13 të infektuar të tjerë nga koronavirusi, duke e çuar në 70 numrin e të prekurve.
Pas kësaj situate alarmante në Shkodër, Prefekti i komanduar i Shkodrës Besdfort Llamallari, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu, kanë dalë në terren për të monitoruar tregjet dhe lëvizjet e qytetarëve.
Veliu theksoi se ende nëpër tregjet e Shkodrës nuk respektohen rregullat dhe që të mos gjobiten, qytetarët duhet të marrin seriozisht mbrojtjen e shëndetit.
Ndërsa Llamallari ka kërkuar bashkëpunimin e shkodranëve për të respektuar sa më shumë masat, që të ulet trendi i të prekurve me Covid-19./abcnews.al