Koronavirusi “gjunjëzon” ekonominë, pesë milionë kinezë humbin vendet e punës

schedule10:55 - 18 Mars, 2020

schedule10:55 - 18 Mars, 2020

Janë pesë milionë njerëz në Kinë të cilët kanë humbur punën, pas shpërthimit të Coronavirusit gjatë dy muajve të parë të vitit 2020.

Sipas Zyrës kineze të Statistikave, shkalla zyrtare e papunësisë u rrit në 6.2 për qind për muajin shkurt. Ajo shënoi rritje të thellë krahasuar me vlerat 5.3 për qind në muajin janar dhe 5.2 për qind në muajin dhjetor 2019.

“Ka kuptim, pasi mbi 5 milionë punëtorë humbën punën në dy muajt e fundit”, tha Larry Hu, kryeekonomist në kompaninë Macquarie.

Deri në fund të vitit të kaluar, 442.47 milionë njerëz ishin të punësuar në zonat urbane dhe siç tregojnë të dhënat e fundit të qeverisë, të paktën 4.67 milionë njerëz mbetën të papunë që nga fillimi i këtij viti.

Nga ana tjetër, Dan Wang nga Njësia e Inteligjencës Ekonomiste pret që 9 milion njerëz në qytetet e Kinës do të humbasin punën e tyre këtë vit si rezultat i virusit.

Ekonomia e dytë më e madhe në botë ka pasur rënie në fusha të ndryshme duke filluar nga: Shitja me pakicë e mallrave të konsumit e cila ka rënë 20.5% në janar dhe shkurt. Prodhimi industrial ra me 13.5%, ndërsa investimet ranë në 24.5% për të njëjtën periudhë.

Ndërkohë shkalla e papunësisë është luhatur afërsisht 4 për qind në 5 për qind për 20 vitet e fundit./abcnews.al