Një kostum të tillë duhet të veshë çdo mjek apo infermier që përballet me një të dyshuar për Covid 19. Drejtorin e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjeksore Skënder Brataj e gjetëm ndërsa demostronte para personelit shëndetësor të Forcave të Armatosura se si duhej mbajtur kjo veshje për të mos u infektuar.
Jo më kot ishte zgjedhur sheshi përpara godinës.
Qarkullimi i ajrit është kundërshtar i virusit të ri korona.
Ndërkohë brenda mjediseve nuk pushonin telefonatat.
Çdo thirrje drejtuar numrit 127 nga e gjithë Shqipëria koordinohet nga kjo sallë.
Përhapja e koronavirusit të ri dhe në vendin tonë ka shtuar panikun tek qytetarët të cilët nuk ngurojnë të telefonojnë dhe për shqetësimin më të vogël.
Vëtëm 24 orët e fundit janë regjistruar rreth 3 mijë e 600 thirrje.
1400 vetëm për Covid 19.
Në 80% të rasteve personat kërkojnë vetëm informacion.
Të dyshuarit për koronavirus skedohen përmes këtij formulari.
Autoambulancat presin urdhërin për tu nisur.
Por a i kanë ato kushtet për të transportuar një person me komplikacione nga Covid 19 nga një spital rajonal në Shërbimin Infektiv në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë?
Brataj thotë se 7 respirator lëvizshëm janë në dispozicion.
“Janë në dispozicion dhe mund të shkojmë kudo, pesë janë në Tiranë, një në Korçë dje një na njoftuan se ishte në Gjirkastër një mjet me respirator. Një numër i pajisje të tilla e përballon numrin e pacientëve në Shqipëri,” tha Brataj
Ndërsa një autoambulancë largohet të tjerat qëndrojnë në gatishmëri./abcnews.al