Virusi Korona është tema numër një në bisedat në Gjermani. Ekspertët paralajmërojnë të mos kalohet në panik.
Çfarë do të thotë epidemia e virusit Korona për Gjermaninë? A do të ndalet së shpejti jeta publike, a do të anulohen aktivitetet e mëdha, siç po bëhet në Zvicër? Virusi i ri është në titujt e të gjitha gazetave gjermane. “Mos kalo në panik” këshillon të paktën gazeta e përditshme “Taz”. Por epidemia përcakton në masë të madhe bisedat mes njerëzve: në autobus dhe në tren, në rrugë, në restorante dhe në vendin e punës.
Qëndrim i arsyeshëm te ekspertët
Relativisht me qetësi reagojnë ata që duhet ta dinë më mirë: Instituti-Robert-Koch, autoriteti më i lartë në Gjermani për sëmundjet infektive, mban konferenca shtypi të përditshme. Lars Schaade, mjek specialist në mikrobiologji dhe nënkryetar i institutit, rendit: 52 infektime njihen deri tani në Gjermani, ka tre zona lokale të përqendrimit. Një në Renaninë Veriore-Vestfatli me një pacient të sëmurë rëndë, një në Baden-Württemberg, një rast të ri në Mynih.
Sa për krahasim: në të gjithë botën janë infektuar me virus deri tani mbi 80.000 vetë, në 52 vende. Dhe, sipas ekspertëve, numri i rasteve të paraportuara është i lartë. Kjo është arsyeja pse Schaade arrin në përfundimin se “për momentin virusi nuk duket të ketë një përhapje të gjerë në Gjermani. Dhe kjo është arsyeja pse rreziku për shëndetin e popullatës është i vogël deri në mesatar”.
Më e rëndësishmja tani: larja e duarve
Schaade edhe njëherë dha këshilla shumë specifike se si duhet të sillet popullata tani: “Përdorni shami që mund t’i flakni, kur kolliteni ose teshtini, hidhini ato. Lani duart, dhe kur kjo nuk është e mundur është mirë të ktheheni pas kur teshtini ose kolliteni dhe teshtini në bërryl. “Për më tepër, prekeni sa më pak të jetë e mundur fytyrën, gjë që një person normal e bën deri në dyqind herë në ditë.
Çfarë ndodh, e pyesin Schaade, në rast të një infektimi? Rreth 85 përqind e rasteve kalojnë si grip i butë, por: “Ka disa raste që përkeqësohen, që përkeqësohen pas rreth nëntë ditëve: këto janë rastet që kanë rrjedhën më të rëndë të sëmundjes. Dhe kur ke një rrjedhë kaq të rëndë të sëmundjes , atëherë mund të duhen tre, katër, ose në raste ekstreme madje edhe gjashtë javë për ta marrë veten, siç përshkruhet në Kinë ”.
Qeveria federale ka reaguar dhe ka ngritur një ekip krizash të cilit i përkasin shumica e dikastereve. Ministri i Brendshëm Horst Seehofer (CSU) dhe Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn (CDU) e kanë diskutuar gjendjen e punëve me kancelaren Angela Merkel. Zëdhënësi i Merkel-it, Steffen Seibert tha të premten: “Kancelarja, për këtë të jeni të sigurtë, do të informohet çdo ditë për përparimin e ngjarjeve, si në aspektin e përhapjes, ashtu edhe për gjendjen e përgatitjeve.”
A duhet të anulohet panairi i turizmit?
Ndërkohë, është shtyrë edhe panairi kryesor botëror i turizmit ITB me mijëra vizitorë nga e gjithë bota, i cili do të fillonte në Berlin të mërkurën e ardhshme. Një temë tjetër do të jetë ndoshta nëse Gjermania ka mjaft kostume speciale dhe maska mbrojtëse, veçanërisht për personelin ndihmës, po të përkeqësohet epidemia. Nuk duket se ato mjaftojnë. Ministri Spahn, pra, po shqyrton, siç tha dje në “Televizionin e Dytë Gjerman” (ZDF), një ndalim eksporti, nëse është e nevojshme.