Ish-ministri i Shëndetësisë Nard Ndoka në një intervistë për “ABC News” tha se menaxhimi i pandemisë në Shqipëri nuk ishte në nivelet e duhura. Sipas tij personeli mjekësor ishte edhe më i rrezikuari, por pavarësisht kësaj Ndoka tha se nuk është marrë asnjë masë për sigurimin e mbrojtjes së tyre.
“Ministria e Shëndetësisë duhet të hetohet për krim njerëzor ndaj personelit mjekësor. Ne shohim një numër shumë të madh të personelit mjekësor pa arsye të infektuar, pavarësisht se mjeku është gjithmonë në rrezik. Nuk kishte përkujdesje për teste, por vetëm izolim. Është pafalshme që Ministria e Shëndetësisë edhe sot nuk kanë siguruar masa mbrojtëse, kam informacion që gjithsecili mbrohej me mjete individuale.
Kjo ishte edhe arsyeja e mbylljes, izolimit, masë e cila rezultoi të ishte alarm i rremë. Këtyre i pëlqejnë të kopjojnë modele që nuk kishin lidhje me modelin shqiptar duke shkaktuar edhe panik. Kemi parë vetëm kryeministrin i cili komunikonte 3 herë në ditë duke përhapur frikë te qytetarët.
Për ne nuk ishte model Italia, duhet të ndërtoheshin politika të qarta që ishin të përshtatshme për ne. Duhet të rritej numri i testeve dhe jo të kalonim me masa të tilla. Edhe pse nuk e kemi luksin e sistemit suedez. Kishim një kryeministër që i merrte vendimet me “orekset” e tij. Asnjë vend nuk ka pasur fasha të tilla siç na i promovoi kryeministri jonë”, tha Ndoka.
Lexo edhe: COVID-19, Ndoka: Burg shtëpie me urdhër të kryeministrit, duhet të izoloheshin vatrat
Ndërsa sa i përket dënimit me burg Ndoka theksoi se është një masë për të frikësuar qytetarët. Sipas tij kjo është filozofia e kryeministrit me qëllimin e vetëm për të panikuar qytetarët.
Si do ta vazhdojë opozita e bashkuar aksionin opozitar?
Ndoka: Qëndrimi i Bashës ka qenë pozitiv. Ka dhënë ide për përballimin e situatës së koronavirusit. Paketat e qeverisë nuk janë efektive për shqiptarët. Qeveria ka bërë tendera sekretë korruptivë dhe misioni i opozitës është për të mbrojtur taksat e shqiptarëve. Duke parë papërgjegjësi, opozita përpiqet ta izolojë kryeministrin./abcnews.al/