Koreja e Veriut, SHBA: Zgjidhja e vetme, rruga diplomatike

schedule23:29 - 27 Shtator, 2018

schedule 23:29 - 27 Shtator, 2018

Shtetet e Bashkuara duket se kanë hequr dorë nga opsioni ushtarak për zgjidhjen e çështjes koreano-veriore pavarësisht ngërçit që ka përfshirë procesin e çarmatimit bërthamor. Administrata amerikane ka bërë me dije se, nëse Peniani del nga zotimet e tij do të përballet me presione dhe izolim të mëtejshëm.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka deklaruar të enjten në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se, nëse Korea e Veriut del nga zotimet e saj për çarmatimin bërthamor ajo do të përballet me një izolim më të theksuar dhe një presion ndërkombëtar më të fortë. Pompeo ka nënvizuar se, sanksionet e Këshillit të Sigurimit duhet të vazhdojnë të zbatohen me seriozitet deri në çarmatimin e plotë bërthamor të vendit aziatik. “Vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit duhet të japin shembullin në këtë drejtim”, ka deklaruar më tej Pompeo. Deklarata e shefit të diplomacisë amerikane ndryshon nga ajo e bërë pak kohë më parë nga zëvendës presidenti Mike Pence, se në rast dështimi Korenë e pret skenari libian. Pompeo pritet të vizitojë së shpejti Penianin për një takim me lidershipin politik koreano-verior. Ndërkohë, në mediat amerikane flitet se administratat e dy vendeve janë në kontakt për një takim të dytë mes presidentit Donald Trump dhe liderit Kim Jong un, pas atij të zhvilluar në Singapor. Uashingtoni akuzon regjimin në Penian se nuk po përmbush detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja e arritur në takimin e qershorit. Për administratën amerikane, kjo manovër i është kërkuar Koresë së Veriut nga Kina, e cila ndodhet në vështirësi për shkak të tarifave të larta tregtare që presidenti Trump ka vendosur ndaj produkteve të saj. /abcnews.al