Koreja e Veriut kërcënon SHBA: Do t’iu kundërpërgjigjemi

schedule16:05 - 3 Mars, 2018

schedule 16:05 - 3 Mars, 2018

Koreja e Veriut do t’i kundërpërgjigjet në mënyrën e vet stërvitjeve të përbashkëta që do të zhvillojë ushtria amerikane me atë të Koresë së Jugut. Ky është kërcënimi i fundit që vjen nga regjimi komunist që akuzon SHBA për shpallje lufte në gadishull.

Koreja e Veriut kërcënoi me kundërpërgjigje nëse Shtetet e Bashkuara kryejnë ushtrime të përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, duke thënë se stërvitjet do të dëmtonin përpjekjet e pajtimit në gadishull. Uashingtoni do të fillojë zhvillimin e stërvitjeve të përbashkëta në fillim të prillit, tha këtë javë këshilltari i sigurisë presidenciale në Korenë e Jugut – e fundit në një sërë stërvitjesh, të cilat Veriu i ka përshkruar rregullisht si një kërcënim.

“Në qoftë se SHBA përfundimisht ushtron stërvitje të përbashkët ushtarake duke mbajtur sanksionet, Republika Popullore Demokratike e Koresë së Veriut do t’i kundërvihet SHBA-së me mënyrën e vet të kundërveprimit dhe SHBA-të do të përballet me të gjitha përgjegjësitë për pasojat që vijnë”, tha agjencia zyrtare e lajmeve e regjimit komunist KCNA.

Më 23 shkurt, Shtetet e Bashkuara thanë se po impononte paketën më të madhe të sanksioneve për të ushtruar presion mbi Korenë e Veriut për të hequr dorë nga programet e saj bërthamore dhe raketore. Presidenti Donald Trump paralajmëroi për një “fazë të dytë” që mund të ishte “shumë e pafat për botën” nëse sanksionet nuk funksiononin. Për këtë, KCNA akuzoi Uashingtonin se po përpiqet të “sjellë retë e errëta të një lufte mbi gadishullin Korean”.

Ndërkohë, Koreja e Jugut mendon të çojë një të dërguar special në Veri si kundërpërgjigje për ftesën e liderit Kim Jong-un për presidentin Moon Jae-in. Këto zhvillime vijnë pas afrimitetit që patën dy vendet gjatë zhvillimit të lojërave olimpike dimërore në Pejongçang. Madje në një takim të fundit një zyrtar u lartë i Koresë komuniste theksoi se Peniani është i gatshëm për bisedime me Uashingtonin. /abcnews.al