Koreja e Veriut: Forca fizike, rruga e vetme për të ruajtur paqen në Gadishullin Korean

schedule15:58 - 17 Gusht, 2023

schedule 15:58 - 17 Gusht, 2023

Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Veriut, Kang Sun-nam, akuzoi SHBA-në për përshkallëzim të tensionit ushtarak në Evropë dhe Azinë Verilindore dhe tha se “forca fizike” është “rruga e vetme” për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Gadishullin Korean dhe në rajon.

Sipas NKNEWS, Kang dërgoi deklaratë përmes përfaqësimit të vendit të tij në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë që mbahet në Moskë.

Në deklaratën e Koresë së Veriut, Kang vuri theksin mbi “agresivitetin” e SHBA-së kundrejt Koresë së Veriut dhe përsëriti mbështetjen e Koresë së Veriut për Rusinë në luftën Rusi-Ukrainë.

“Japim mbështetje të plotë ndaj forcave ushtarake dhe popullit rus të cilët zhvillojnë një luftë të pamëshirshme për të mbrojtur të drejtat e tyre sovrane dhe interesat e sigurisë”, tha Kang.

Duke kritikuar aktivitetet ushtarake të SHBA-së, Kang akuzoi Washingtonin për “çmenduri të luftës bërthamore” duke përmendur vizitat që nëndetëset bërthamore dhe aeroplanmbajtëset e SHBA-së kanë kryer në Korenë e Jugut, si dhe stërvitjet e përbashkëta ushtarake SHBA-Kore e Jugut që fillojnë javën e ardhshme.

Duke akuzuar SHBA-në dhe Korenë e Jugut për “përfshirje në mekanizma që përbëjnë rreziqe bërthamore ndaj Koresë së Veriut” me Deklaratën e Washingtonit dhe Grupin Këshillimor Bërthamor, Kang tha: Besojmë kategorikisht se është e pamundur që të zgjidhet ndonjë problem përmes dialogut dhe negociatave, për sa kohë që SHBA nuk pranon dështimin e plotë të politikës së saj armiqësore kundrejt Koresë së Veriut dhe për sa kohë që nuk braktis përfundimisht dhe në mënyrë të pakthyeshme linjën e saj konfliktuese.

Koreja e Veriut ka aftësi bërthamore në nivelin që “mund të përfshijë të gjithë territoret e SHBA-së” tha Kang, i cili kërcënoi SHBA-në.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!