Pas një shekull nga krijimi, Korçës i është kthyer Orkestra Simfonike.
Saktësisht, 100 vite më parë, qytetarët e Korçës ndoqën të parin koncert të Orkestrës Simfonikë të qytetit, e cila ishte edhe e para orkestër simfonike në vend.
Tradita e krijuar 100 vite më parë në Korçë u rikthye me formimin e Orkestrës Simfonike e cila do të drejtohet nga dirigjenti i njohur Ilir Erzeni. Tingujt e Marshit të Radeckit dhe Danubit Blu mblodhën mbrëmjen e së shtunës në qendër të qytetit artdashës të shumtë, në të parin koncert të Orkestrës Simfonike të Korçës.
Për maestro Zhani Ciko, rikthimi i Orkestrës Simfonike, është një ngjarje e rëndësishme për kulturën dhe artin.
Rikthimi i Orkestrës Simfonike përkoi edhe me çeljen e Qendrës së Kulturës,Artit dhe Inovacionit, e cila do të jetë shtëpia e re e artistëve të Korçës.
Me pasionin dhe këmbënguljen e Thoma Nasit, Korça hapi dyert për artin e klasit të lartë, përmes Orkestrës Simfonike që interpretonte pjesë të Verdit, Bizet, Rossinit, dhe të tjerë kompozitorëve të mëdhenj./abcnews.al