Korçë/ Tjetërsuan procesverbalet lidhur me një aksident, pezullohen dy policë dhe një oficer

schedule14:24 - 11 Korrik, 2023

schedule 14:24 - 11 Korrik, 2023

Foto ilustruese

Tre punonjës policie janë pezulluar nga detyra në qytetin e Korçës. Burime bëjnë me dije se me vendim gjykate janë pezulluar 2 policët  Klevis Zhuleku dhe Oresti Lushi dhe oficeri,  Klajdi Shameti, të tre pjesë e sektorit të qarkullimit rrugor.

Sipas informacioneve mësohet se 3 punonjësit kanë tjetërsuar procesverbalet lidhur me një aksident të ndodhur.

Hetimi ka zgjatur rreth 2 muaj, ndërsa priten informacionet zyrtare nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore të cilët kanë ekzekutuar vendimin e gjykatës së Korçës.

Gazetari i ABC News, Roland Beqiraj raporton se janë kryer përgjime telefonash dhe përgjime ambjentale, si prova kryesore nga prokuroria për të provuar akuzën.

Reagimi i AMP:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan Korçë) ka zbatuar Urdhërin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, e cila ka vendosur masën e sigurimit të karakterit ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për punonjësit e policisë të mëposhtëm:

– Nënkomisar Kljadi Shameti, 32 vjeç, me detyrë Specialist i Trafikut Urban dhe Interurban në Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumentave” në bashkëpunim.

– Inspektor Klevis Zhuleku., 27 vjeç, me detyrë Trupë shërbimi në Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumentave” në bashkëpunim.

– Inspektor Oresti Lushi, 25 vjeç, me detyrë Trupë shërbimi në Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumentave” në bashkëpunim.

Këta punonjës policie dyshohet se kanë manipuluar provat për një aksident me dëme materiale, si dhe kanë falsifikuar një test alkoli, duke mos e aplikuar tek shkaktari i aksidentit por tek një tjetër person.

Hetimet vazhdojnë për identifikimin e punonjësve të tjerë të dyshuar si të implikuar, ndërsa materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.r.t/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!