Korçë/ Shantazhet në rrjetet sociale, vajza adoleshente kërcënohen me publikime fotosh

schedule11:15 - 6 Shkurt, 2025

schedule 11:15 - 6 Shkurt, 2025

Sektori kundër krimit Kibernetik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimet pas denoncimit të një oficereje të sigurisë në një prej shkollave të mesme të qytetit të Korçës për një faqe Instagrami e cila publikonte përmbajtje bullizuese, denigruese dhe pornografike.

Targeti i sulmuar nga administratorët anonimë të faqes ishin nxënës të shkollave të mesme, por edhe 9-vjeçare të qytetit, shumica prej të cilave vajza.

Adoleshentët e moshës 14-18 vjeç tregojnë se faqja ekziston prej disa vitesh dhe në mënyrë periodike hapet dhe mbyllet. Sipas tyre këtë herë veç bullizimit dhe denigrimit të bashkëmoshatarëve të tyre ka patur edhe video dhe foto me përmbajtje pornografike.

Denoncimi i rastit ka angazhuar strukturat e policisë së Korçës, prokurorisë dhe sektorit të Krimit Kibernetik në Drejtorinë e Policisë së Shtetit. Pas ndërhyrjes së ekspertëve faqja është mbyllur dhe po vijojnë hetimet intensive për të identifikuar administratorët e faqes dhe persona të tjerë të përfshirë në shpërndarjen e këtyre materialeve.

Pavarësisht se sulmi kibernetik është në rritje, shqetësim mbetet mungesa e denoncimeve nga të miturit e prekur po ashtu edhe familjarët e tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!