Autoriteti Kombëtar i Ushqimit asgjësoi rreth 4 ton ushqime të cilat tregtoheshin me etiketa të falsifikuara.
Produktet i gjeti në një supermarket në qytetin e Korçës që pas kontrollit u bllokua.
Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca foli për zero tolerancë sa i perket sigurisë ushqimore.
“Në qarkun e Korçës ne kemi kryer një aksion shumë të rëndësishëm. Kemi gjetur një supermarket të licencuar por që e kryente aktivitetin me mashtrime etiketash. Ky subjekt është bllokuar”, tha ajo.
Nga Pogradeci ku ishte bashkë me drejtues të task-focës për sigurinë ushqimore ministrja tha se kontrollet në hotele, restorante, pastiçeri, markete e fast foode nuk do te ndalen.
“Shqipëria sot ka një monitorim të shtuar dhe objektiv shumë të qartë të sigurisë ushqimore. Aktivitete të tilla patjetër që do të bllokohen, por qëllimi i taskforcës nuk është penalizimi. Roli i saj është evidentimi, paralajmërimi, këshillimi dhe aty ku ka shkelje sigurisht do të marrim masa”, siguroi Krifca.
Në këto ditë te nxehta e me fluks të lartë pushuesish ministrja e Bujqësisë tha se autoritetet janë në terren për të garantuar ushqim cilësor për konsumatorët vendas e të huaj./abcnews.al