Korça e para ’90/ Ja ku njerëzit takoheshin kur mungonin mjetet e komunikimit

schedule20:33 - 22 Shkurt, 2025

schedule 20:33 - 22 Shkurt, 2025

Për të takuar dikë në Korçë sot mjafton të ulesh diku, në çdo cep të qytetit dhe nga telefoni dërgon vendndodhjen. Ndërkohë për ata qytetarë të lindur para viteve 1990 si pika orientuese apo si vendtakime, përdoreshin të tjera forma.

Ishin kryesisht vende të njerëzve që i njihte i gjithë qyteti. Ato ishin fillimisht emra ndërtesash të tregtarëve më të njohur që kishin lënë gjurmë në historinë e qytetit, dhe më pas me rritjen e numrit të banorëve, u krijuan dhe qendra të reja, me emërtime të përshtatura në kohë.

Një nga këto vende të njohura nga korçarët ka qenë dyqani i Rakos.

Rako, është shkurtimi i emrit Irakli. Me origjinë nga Zagoria e Gjirokastrës, në vitet 1920 Irakli Qirjako, Rakoja, zgjedh Korçën për të investuar paratë në Pazarin e Korçës, si një nga qendrat më të zhvilluara tregtare të kohës.

Me ndikime të arkitekturës italiane, ai ndërton dyqanin më të bukur të pazarit që nga lloji aktivitetit tregtar ishte shumë i ngjashëm me MAPO- t e periudhës së komunizmit, apo me marketet e sotme. Gjatë kohës së komunizmit, dyqani u shtetëzua, por vazhdoi aktivitetin si MAPO industriale. Për qytetarët e Korçës në të folurën e përditshme ajo nuk ishte Mapo, por “dyqani Rakos”.

Me zhvillimin e qytetit u shtuan dhe qendrat, pikat e orientimit apo vendtakimet e reja. Emrat e tyre ishin të përshtatshëm me kohën e jetuar. Për të përjetësuar miqësitë internacionaliste, ato u reflektuan dhe në emërtime baresh, restorantesh e mëngjezoresh.

Për të përjetësuar miqësinë me ish Bashkimin Sovjetik, në qendër të qytetit, përballe kinemasë dhe në krah të bustit të Josif Stalinit, ëmbëltorja mori emrin “Moska”, kurse për miqësinë me Kinën, një mëngjezore, me klientelë kryesisht punëtorët mori emrin “Pekini”. Regjimi i prishi miqësitë dhe aleancat, zyrtarisht ndërroi dhe emrat, por për qytetaret nuk ndryshoi asgjë, ato vazhdonin të ishin ëmbëltore “Moska” dhe mëngjezore “Pekini”.

Por nuk kanë munguar as emërtimet metaforike. Në vargun e dyqaneve të tregtarëve korçarë, pikërisht në qendër të qytetit ndodhej dhe një restorant. Askush në memorie nuk e ka fiksuar se si quhej, pasi për qytetarët ishte thjesht “komunisti”.

Zanafillën e ka në vitin 1970, kur mitropolia e dikurshme u kthye në shkollë partie dhe kursantët që mësonin historinë e komunizmit, u ishte caktuar ky restorant për të ngrënë tre vakte. Dhe që nga ajo kohë qytetarët e quajtën restorant “komunisti”

Ashtu si në të gjithë vendin, në ato vite, kafenetë kanë qenë kryesisht me klientelë maskiliste, ndërsa  xhirot në bulevard, mbeteshin një vend i preferuar i vajzave.

Në një nga këto kafene të njohura, apo jo shumë të famshme, ndoshta autorit i ka lindur dhe motivi i këngës aq shumë të njohur “Bulevardi Korçës ka vajza pa masë…”

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!