Ajgena Korbi
Varianti i ri koronavirusit zbuluar në Britani mund të ketë mbërritur dhe në Shqipëri. Shefi i laboratorit të Mikrobiologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Andi Koraqi nuk e përjashton si mundësi për dy arsye kryesore.
“Nuk e përjashtoj që varianti i ri të ketë ardhur në Shqipëri pasi ndalimi i fluturimeve me Anglinë u bë në një moment që ky shtam u zbulua, por ai ka qenë që në tetor-nëntor. Nuk është se zbulimi përkon me qarkullimin. Nga ana tjetër, ajo që është vërtetuar deri më tani është transmetueshmëria më e madhe. Gradualisht ai po zëvendëson të gjitha shtamet e tjera.”
Shqipëria nuk mund ta provojë përmes analizave brenda vendit praninë e mutacionit të Sars CoV 2, por specialistët e Institutit të Shëndetit Publik mund t’i drejtohen laboratorëve të referencës në Londër ose Berlin për sekuencimin e virusit.
Ndryshimet që ka pësuar koronavirusi sipas mikrobiologut Andi Koraqi janë të mëdha me gjithë këtë mjeku thotë se ato nuk vënë në pikëpyetje vaksinën apo antitrupat tek personat që e kanë kaluar Covid 19.
“Llogaritet që ndryshimi i nukleotideve në këtë koronavirus, është dy ndryshime në muaj. Mutacioni i ri, ka një diferencë prej 29 nukleotidesh, pra është një hap gjigant që ka pësuar virusi. Megjithatë, nuk ka evidenca shkencore për të pasur frikë për faktin që virusi ka ndryshuar pamjen e tij sa të mos njihet nga antitrupat…”
Variant i ri i koronavirusit është më i transmetueshëm, por a është dhe më agresiv?
“Nuk ka asnjë evidencë për rëndesë të sëmundjes, apo për agresivitet më të madh të virusit.”
Aktualisht në Shqipëri ka mbi 23 mijë të prekur nga koronavirusi ndërkohë javët e fundit referuar të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë situata paraqitet më e qetë si për nurmin e të infektuarve të rinj ashtu dhe për ata që kanë nevojë për trajtim në spital. /abcnews.al/