Policia Rrugore vijon monitorimet me dron të qarkullimit në akset problematike të vendit. Vetëm në qarkun e Beratit droni pikasi 74 drejtues mjetesh në parakalime të gabuara, mosrespektim të distancës së sigurisë dhe mosrespektim të përparësisë në rrethrrotullime.
Segmentet rrugore ku në vijimësi ndodhin aksidente të rënda, të konsiderura si “njolla të zeza” nga ana e Policisë Rrugore, po monitorohen së fundmi edhe përmes dronit. Kjo mënyrë ka zënë në befasi dejtuesit e mjeteve që bëjnë parakalime të gabuara.
Gjatë ditës së enjte, kamera e dronit të Njësisë Operacionale për Sigurinë Rrugore vëzhgoi akset problematike në qarkun e Beratit. Sipas Policisë së Shtetit, gjatë monitorimit u vunë re të paktën 74 drejtues mjetesh në shkelje të Kodit Rrugor.
40 prej tyre janë ndëshkuar me masë administrative, ndërsa 34 janë dërguar në komision. Policia e Shtetit bëri me dije se monitorimi me dron do të vijojë në të gjitha rrugët në qarqet e vendit./abcnews.al