Vëllai i Eljon Hatos, në banesën e të cilit u ushtrua një kontroll i befasishëm nga RENEA dhe policia e Shkodrës akuzon policinë për terror. Në një prononcim për mediat, vëllai i të kërkuarit thotë se policia ka shkuar në banesë pa lajmëruar dhe se ka vrarë njërin prej qenve që ai mban në shtëpinë e tij.
“As nuk kanë njoftuar, paralajmëruar por kanë hyrë nga muri dhe kanë gjuatur qentë. Njërin e kanë vrarë dhe tjetrin plagosur. Është e disata herë që vijnë këtu, nuk kanë gjetur as Elionin. Nuk shkojnë më se ku jeton Elioni por vijnë direkt këtu, problem ka qenë edhe kur nuk ka qenë vëllai në kërkim, edhe kur e shpallën, këtu e kanë bërë reprezale por jo në këtë gjendje. Kanë pasur mundësi me marrë në telefon. Këtij kontrolli nuk i them paqësor, ka tani tre kontrolle që vijnë dhunshëm.”, theksoi ai.
Eljo Hato është shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të dosjes “Metamorfoza” pasi përmes komunikimeve në programet e enkriptuara u zbulua si pjesëmarrës në disa krime. Hato është mik i Ervis Martinajt dhe u plagos disa vite më parë në ngjarjen e cilësuar si “masakra e ish-Bllokut”, ku mbeti i vrarë edhe Fabjol Gaxha./abcnews.al