Në 48 orët e fundit, Policia Rrugore ka arrestuar 13 shoferë dhe ka vendosur 2012 masa administrative për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Gjatë kontrolleve duke përdorur mjete të pauniformuara, kamera, radarë e alkooltestues, në të gjithë vendin janë arrestuar 13 drejtues mjetesh.
Dhjetë prej këtyre shoferëve u arrestuan për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 2 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 1 për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Po ashtu, janë pezulluar 77 leje drejtimi, nga të cilat 64 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 13 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.
Ndërsa, janë vendosur 2012 masa administrative për shkelje që janë burim për përfshirje në ngjarje rrugore, të ndara si më poshtë:
-556 masa administrative për parakalime të gabuara.
-511 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit.
-419 masa për shpejtësi mbi normat e lejuara.
-312 masa për mospërdorimin e rripit të sigurimit.
-187 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse.
-27 masa për shkelje të semaforit. sb/abcnews.al/