Kontrolle nëpër banesa, veteranët e UÇK-së hedhin telefona në drejtim të objektit të EULEX-it

schedule13:06 - 15 Shtator, 2023

schedule 13:06 - 15 Shtator, 2023

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka protestuar të premten para ndërtesës së Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) duke e kritikuar këtë institucion dhe Gjykatën Speciale të Kosovës për shqetësim të familjeve të veteranëve.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Gjykata e ka selinë në Hagë, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

Faton Klinaku nga OVL e UÇK-së, ka kërkuar reagim të autoriteteve të Kosovës, duke pretenduar se Gjykata Speciale dhe EULEX-i po u shfaqen pa paralajmërim veteranëve.

Jeni dëshmitarë që Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe EULEX-i janë duke i shqetësuar familjet e bashkëluftëtarëve tanë dhe familjet e dëshmorëve, duke dërguar pa paralajmërim njerëz të panjohur e me kapela në kokë për gjoja intervistime, duke i bastisur e duke ua konfiskuar telefonat personalë”.

Ai e ka bërë këtë deklarim dy ditë pasi ish-pjesëtari i UÇK-së, Rrustem Mustafa, ka njoftuar se hetuesit e Gjykatës Speciale i janë paraqitur në shtëpinë e tij me kërkesë për kontroll të telefonit.

Personeli nga Gjykata Speciale janë sjellë me respekt. Në zyre të EULEX-it më është sekuestruar telefoni im dhe posa është bërë kjo kontroll pa asnjë interesim shtesë nga ana e tyre, ka përfunduar biseda”, ka thënë Mustafa përmes një postimi në Facebook.

Gjykata Speciale nuk është deklaruar rreth këtij rasti.

Si shenjë proteste ndaj një urdhri të tillë, protestuesit i kanë hedhur disa telefona drejt ndërtesës së EULEX-it.

“Duke pasur parasysh se Policia e Kosovës është reaguesja e parë, kërkojmë që shteti të merret seriozisht dhe të mos lejojnë që persona civilë, pa Policinë, të na hyjnë në shtëpi, sepse përndryshe do të ketë reagime të vazhdueshme qytetare”.

Gjykata Speciale i ka dënuar dy pjesëtarë të OVL së UÇK-së, Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin në maj të vitit 2022 për pengim të administrimit të drejtësisë.

Dënimi fillestar për secilin ka qenë 4 vjet e gjysmë burgim, ndërsa pas ankesës në Apel, koha u është zvogëluar në 4 vjet e tre muaj burgim.

Aktualisht në Hagë është duke u zhvilluar gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./REL