Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka vijuar kontrollet për forcimin e masave të sigurisë në IEVP Fushë Krujë, me qëllim parandalimin e futjes dhe mbajtjes së sendeve të ndaluara brenda institucionit.
Mbrëmjen e sotme, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Adriatik Kupi, Forcat Operacionale dhe Forcat Speciale të Burgjeve zhvilluan kontrolle të detajuara në ambientet e brendshme dhe të jashtme të burgut.
Operacioni u drejtua nga Drejtori i Policisë së Burgjeve, Drejtuesi i Lartë Paulin Rajta, ndërsa kontrollet përfshinë regjimin e brendshëm, ambientet e observimit dhe brezin e butë të sigurisë.
Gjatë kontrollit në zonën mes Godinës A dhe ambienteve të observimit, efektivët konstatuan një aparat celular të markës “Samsung”, një fishe karikimi dhe një palë kufje, të fshehura brenda një çorapeje.
Sipas njoftimit zyrtar, materialet e gjetura iu referuan strukturave përgjegjëse për vijimin e veprimeve hetimore dhe proceduriale. Po ashtu, për rastin është njoftuar Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, e cila do të ndjekë procedurat përkatëse.



