Kontrata për rrugën Milot-Balldren, PD: Korrupsion në favor të ish-deputetit socialist

schedule16:45 - 31 Maj, 2019

schedule 16:45 - 31 Maj, 2019

Partia Demokratike e ka quajtur projektin për ndërtimin e rrugës Milot- Balldren si “më korruptiven deri më sot”. Pas kësaj afere, sipas ish nënkryetares së komisionit të ekonomisë Jorida Tabaku, qëndron një ish-deputet socialist.

“Një projekt edhe më korrupti se ai e Unazës së Madhe.” Të tillë e quan ish-deputetja demokrate Jorida Tabaku projektin për rrugën Milot – Balldren, vlera për të cilin sipas saj, jo vetëm është fryrë por pritet të rritet edhe më në favor të ish-deputetit socialist që ka në pronësi kompaninë përfituese të tenderit.

“Ndryshimi nga unaza e madhe, nuk u shpik kompani por qeveria ja dha kontratën me ofertë të pakërkuar një kompanie të vogël që zyrtarisht është në pronësi të ish-deputetit të PS Agim Kola. Ne buxhetin 2018 projekti u parashikua 1130 milion euro, tenderi u hap me 161 milion euro, duke lënë mundësi në dokumentacion që të rritet kosto. Në kontratën e depozituar në parlament vlera shkon në 256 milion euro bashkë me tvsh. Ende jo kosto përfundimtare”.

Kontrata parashikon se është kontraktori ai që mund të kërkojë ndryshim të kostos.

“Kontraktori bën kërkesë për kosto shtesë që do përballohen nga ministria e financave. Ndryshe nga kontratat e tjera. Kjo është kontrata e parë që tenderohet me vlerë më të ulët se zbatimi i saj. Përfituar nga firma ANK e Agim Kolës… sa herë ndodh diçka kontrata i lejon investitorit të kërkojë diçka nga shteti”.

Një tjetër parregullsi në dokumentacion sipas kryetares së departamentit të anti-korrupsionit Lealba Pelinku, është kompania e dytë, pjesë e bashkimit të operatorëve që fituan tenderin.

“Kjo e fundit është krijuar me 100 mijë lekë si mirëmbajtëse. Bardhi kosntruksion nuk zotëron kapacitet të tillë. Bëhet fjalë për vetëm një operator në garë. Shoqëria e dytë përse u bë pjesë e këtij bashkimi operatorësh. Dyshimi lind që shoqëria të formatizojë paratë e pista. Ajo ka aktive 2 miliard lekë, ndërkohë që deklaron e ka 50 milion euro për këtë projekt”.

Pjesë problematike e kësaj kontrate është gjithashtu fakti se është llogaritur në monedhën euro, jo lek, riskun për të cilin e merr përsipër shteti shqiptar – përfundoi partia demokratike./ABC News Albania 24/7