Partia Demokratike ka nisur përgatitjen për zgjedhjet. Në kushtet kur opozita e bashkuar ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, PD i ka kërkuar strukturave të ndezin motorrët për zhvillimin e zgjedhjeve.
Drejtuesit politikë të qarqeve por edhe drejtuesit e degëve të PD janë njohur me kërkesën e kryetarit të PD, Lulzim Basha për tu angazhuar për identifikimin e votuesve tradicionalë demokratë dhe nisjen e punës për anëtarësime të reja.
ABC NEWS ka siguruar kërkesën e Bashës për strukturat, e cila vendos edhe fundin e tetorit si afatin final për përfundimin e procesit.
“Identifikojnë për cdo QV votuesit tradicional të sigurt të Partisë Demokratike. Kontaktojnë votuesit tradicional të sigurt të PD për të garantuar vijimin e mbështetjes për PD. Regjistrojnë në listën e zgjedhësve votuesit tradicional të sigurt të PD dhe plotësojnë me numrin e telefonit listën vetëm për votuesuesit tradicional të sigurt.Identifikojnë votuesit tradicional të sigurt të PD që nuk janë anëtar partie”, thuhet në dokumentin e PD.
Kreu i demokratëve, Lulzim Basha në mbledhjet e fundit që zhvilloi me ish-deputetët e PD dhe Kolegjin e Kryetarëve deklaroi se kriza politike është drejt zgjidhjes ndaj edhe PD duhet të përgatitet për zgjedhje të parakohshme.
/Juxhin Mustafaraj-ABC News/