“Konsultimet me grupet e interesit, formale,” Macolli për Hartën Gjyqësore: Bojkoti rëndon situatën, duhet zgjidhje institucionale

schedule19:52 - 17 Qershor, 2022

schedule 19:52 - 17 Qershor, 2022

Një nismë që bie ndesh me Kushtetutën e vendit, të drejtat e ndërkombëtare dhe që vështirëson aksesin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Kështu e përshkroi Hartën e re Gjyqësore avokati Erdion Macolli në një lidhje direkte me “Radari Informativ” në ABC.

Macolli shpjegoi se në koncept kjo hartë është një detyrim ligjor që duhej të realizohej kohë më parë. Por, ai thekson se mënyra sesi është organizuar do të ndikojë drejtpërdrejtë tek të drejtat e njeriut.

“Këtu krijohet një binom. Distanca e koha e udhëtimit dhe kostoja që shkojnë në këtë rast në të kundërt me interesin qytetar dhe në aksesin e tyre në sistemin e drejtësisë. Duhej të ishin marrë parasysh propozimet dhe ankesat e grupeve të interesit.”

Juristi shpjegon se konsultimet janë bërë, por thjesht si formalitet ndërsa e mira sipas tij do të ishte, që të kishin nisur në një kohë me nisjen e punimeve.

“Qytetarët në të gjitha rastet nuk e marrin shërbimin dhe kjo mund të ishte shmangur.”

Avokatët për këtë çështje kanë nisur bojkotin, por Erdion Macolli sugjeron se zgjidhja duhet të jetë institucionale.

“Bojkoti rëndon situatën aktuale. Krijohet fluks çështjes që s’po gjykohen. Rëndohet situata në dëm të qytetarëve që nuk marrin shërbim. Por protesta është e ligjshme.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!