Në Bashkinë e Rrogozhinës është betuar sot kryetari i ri Haxhi Memolla, dhe është konstituuar Këshilli Bashkiak. Bashkia që drejtohej nga PDIU i kaloi qetësisht Partisë Socialiste. Ish-kryetari i Bashkisë, Beqir Nuredini u shpreh se zgjedhjet e 30 qershorit janë të paligjshme, por ai nuk mund ta mbajë zyrën forcërisht.
U përqafuan për t’i treguar komunitetit se ne Rrogozhine është paqe. Kryetari i ri Haxhi Memolla dhe ish-kryetari Beqir Nuredini i dhanë dorën njërit-tjetrit.
“Pushteti kaloi paqësisht. Falenderoj të gjithë palët që ishin pjesëmarrëse. Gjithashtu edhe kryetarin e bashkisë aktual sepse kemi pasur marrëdhënie të mira gjatë këtyre 4 vjetëve që kam punuar dhe kam qenë nënkryetar bashkie bashkë me të”, tha Haxhi Memolla.
Kryetari i ri i bashkisë Haxhi Memolla u betua dhe në të njëjtën kohe u konstituua këshilli Bashkiak. Koalicioni që drejtohet nga PS ka 20 nga 21 vendet në Këshill, kurse një anëtar është i Partisë Demokracia Sociale. Ish-kryetari Beqir Nuredini duke ikur tha:
“Sigurisht që e konsiderojmë të pavlefshëm të gjithë këtë proces për aq kohë sa edhe dekreti i Presidentit për ne është i vlefshëm dhe është akoma në fuqi. Një qeveri që ka kapur të gjitha pushtetet sigurisht që ka gjykuar të vlefshme të merrte dhe këtë godinë në Bashkinë e Rrogozhinës. Unë nuk kam ndërmend të përplas njerëzit me njëri-tjetrin për aq kohë sa janë bashkëqytetarë dhe jetojnë me njëri-tjetrin, kështu që kam vendosur ta liroj paqësisht këtë godinë me këtë arsyetim besoj të logjikshëm”.
Në mbledhje asistuan deputetët Arben Ahmetaj dhe Elisa Spiropali. Rrogozhina është një prej bashkive ku Partia Socialiste nuk pati kundërshtarë përballë më 30 Qershor. Drejtuar nga PDIU i kaloi qetësisht Partisë Socialiste./ABC News Albania 24/7