“SHBA mund të vendosë trupa në Ukrainë nëse Kievi pëson një kolaps të plotë kundër Rusisë”.
Kështu ka deklaruar kongresmeni Hakeem Jeffries, i cili është kreu i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve.
Në një intervistë për CBS News, ligjvënësi i lartë demokrat theksoi urgjencën e dërgimit të ndihmës ushtarake në Ukrainë, duke pretenduar se nëse këto përpjekje dështojnë, SHBA-ja potencialisht do të duhet të ndërhyjë drejtpërdrejt në konflikt.
“Ne nuk mund ta lëmë Ukrainën të bjerë, sepse nëse bie, atëherë ka një gjasë të konsiderueshme që Amerika do të duhet të futet në konflikt, jo thjesht me paratë tona, por me mjetet tona ushtrake dhe ushtarakët tanë”, tha Jeffries.
Megjithatë, ky qëndrim bie ndesh me politikën e kahershme të presidentit amerikan Joe Biden, i cili përsëriti muajin e kaluar se ishte “i vendosur” të mos dërgonte trupa amerikane në Ukrainë, pas vrullit të reagimeve që krijoi deklarata e Presidenti francez Emmanuel Macron për të dërguar ushtarë në Kiev.
Edhe javën e kaluar, Macron sugjeroi se kombet perëndimore “do të duhej të pyesnin veten e tyre në mënyrë legjitime” nëse duhet të dislokonin ushtrinë në Ukrainë, “nëse rusët do të kalonin vijën e frontit, dhe nëse do të kishte një kërkesë ukrainase për ndihmë”.
Jeffries ndërkohë, vuri në dukje se Kievi deri më tani nuk kishte kërkuar ndërhyrje të drejtpërdrejtë ushtarake nga Uashingtoni, duke shprehur besimin se mund të fitonte luftën nëse SHBA-të “qëndrojnë me Ukrainën dhe i sigurojnë armët që i nevojiten për t’u mbrojtur”.
Sipas tij përpjekjet e SHBA për të mbështetur Ukrainën përmes Kongresit, që ka shtyrë paketën e re të ndihmave prej 61 miliardë dollarë, janë penguar nga ajo që ai e konsideroi një “fraksion pro-Putin” brenda Partisë Republikane.
Ai veçoi kongresmenin republikane Marjorie Taylor Greene, e cila ka bërë thirrje që fondet të përdoren për nevojat e brendshme, në vend që të dërgohen në Ukrainë.
/abcnews.al