Në emisionin “Real Story” në ABC News, Presidenti Bajram Begaj foli për konfliktin në Gaza. Gjatë kësaj interviste, Presidenti Begaj tha se Shqipëria mbështet çdo zgjidhje diplomatike dhe pajtuese në konfliktin në Lindjen e Mesme.
Presidenti Begaj, theksoi se qëndrimi i Shqipërisë në këtë rast ka qenë i qartë dhe se Shqipëria ka dënuar terrorin e ushtruar nga Hamas ndaj Izraelit, duke mbështetur të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje.
“Po ashtu nga ana tjetër kemi shprehur shqetësim për shkatërrimet, për viktimat dhe situatën humanitare në Gaza”, tha Begaj.
Pjesë nga intervista:
Sokol Balla: z.President, flasim pak për një situatë tjetër që sigurisht dominon, konflikti në Gaza dhe mënyrën se si disa vende të BE, përfshi edhe Britaninë e Madhe i janë përgjigjur duke e njohur shtetin e Palestinës. Ju thatë se Shqipëria është për mbrojtjen e Kartës së Kombeve të Bashkuara, mendoni se kjo gjë do i refuzohet Palestinës ?
Presidenti Bajram Begaj: Shqipëria mbështet çdo zgjidhje politike, diplomatike dhe pajtuese në konfliktin në Lindjen e Mesme. Patjetër që çdo zgjidhje do të jetë e pranueshme nëse respektohet e drejta ndërkombëtare, dhe reciprociteti.
Sokol Balla: Ne me Palestinën kemi një hall që na e ka zgjidhur koha e kaluar pasi regjimi komunist e njohu shtetin e Palestinës, pra le të themi teza e dy shteteve është një tezë që ne e kemi përkrahur dhe defakto dhe dejure e kemi zbatuar, por që nga ajo kohë të gjitha qeveritë fshihen pas faktit që ne e kemi njohur Palestinën, njohim tezën me dy shtete, gjejmë zgjidhje paqësore. Por ama kur vjen puna për të mbajtur një qëndrim nuk e mbajmë.
Presidenti Bajram Begaj: Qëndrimet e Shqipërisë kanë qenë të qarta. Kemi dënuar me forcë çdo lloj terrorizmi. Kemi dënuar terrorin e ushtruar nga Hamas ndaj Izraelit, kemi mbështetur të drejtën e Izraelit për vetë mbrojtje. Po ashtu nga ana tjetër kemi shprehur shqetësim për shkatërrimet, për viktimat dhe situatën humanitare në Gaza.
Sokol Balla: Siç e thatë edhe ju situata është dualiste. Biem dakord që sulmet e shtatorit ishin sulme terroriste, sulmuan në pabesi civilë në koncert, rrëmbyen deri edhe foshnja. Vranë foshnja dhe tashmë jemi të gjithë dakord që Hamasi është një lëvizje terroriste dhe nuk duhet të jenë pjesë e zgjidhjes së problemit. Ama 70 mijë të vrarë në Gaza, shumë prej tyre civilë, gra e fëmijë, kësaj çfarë emri t’i vëmë?
Presidenti Bajram Begaj: Lufta dhe konfliktet sjellin pasoja fatale por më së shumti prekin njerëzit e thjeshtë, do donim që lufta në Gaza të përfundonte, një armëpushim i qëndrueshëm me kthimin e gjithë pengjeve dhe me diskutime për zgjidhje diplomatike të situatës do ishte qëndrimi i duhur. Shqipëria ka dënuar dhe ka shpallur organizatë terroriste Hamasin, dhe po kështu krahun e ashtuquajtur ushtarak të Hezbollahut dhe ne jemi në favor të një zgjidhje diplomatike, një zgjidhje afat gjatë të qëndrueshme në të mirë të dy popujve.
Sokol Balla: 6-7 vende Perëndimore e njohën Palestinën këtë vit dhe vende që nuk do na kishte shkuar mendja kurrë, si Franca apo Britania e Madhe, por SHBA e quajti këtë një dëmtim të zgjidhjes ndërkohë që Izraeli e quajti sponsorizim të Hamas. Komenti juaj
Presidenti Bajram Begaj: Shqipëria është në favor të çdo zgjidhje diplomatike, politike dhe pajtuese në Lindjen e Mesme dhe patjetër që unë nuk mund të komentoj deklaratat nga SHBA dhe Izraeli, por ajo që mund të them është që një zgjidhje paqtuese në rajon do të ishte zgjidhja më e mirë.
Sokol Balla: Ndërkohë këtu dëgjoheshin zhurmat e një demonstrate të madhe Pro Palestinë, vetëm 24 orë më parë edhe në Tiranë u mbajt një tjetër protestë e radhës. Ajo që shikoj unë dhe ndjej është që ka një sensibilitet në rritje, nga besimtarët myslimanë shqiptarë, por jo vetëm ndaj kësaj çështje. A mendoni që kjo në një moment të caktuar mund të vendosë autoritetet deri diku edhe përballë këtij opinioni?
Presidenti Bajram Begaj: Toleranca dhe harmonia fetare është një karakteristikë që na identifikon, është një vlerë që na përfaqëson dhe që duhet promovuar. Nuk dua ta fus në kontekstin fetar këtë situatë. Por ajo që unë mendoj është që autoritetet në qëndrimet e tyre kanë qenë, të linjëzuara në politikën e jashtme me interesin kombëtar të Shqipërisë.
/abcnews.al/

