Një dekadë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shtatë vite pas fillimit të dialogut me ndërmjetësimin e BE-së dhe pesë vjet nga marrëveshja e Brukselit që synonte hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, konflikti mbetet ende i ngrirë. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, megjithëse një shumicë e vendeve të OKB-së e kanë njohur shtetin e ri. Dojçe Vele raporton se grupe përfaqësuese nga shoqëria civile, institute dhe bota akademike si nga Kosova, Serbia bashkë me ekspertë të BE janë mbledhur nga fondacioni gjerman, Friedrich Ebert-Stiftung për të skicuar katër skenarë të mundshëm të zhvillimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë deri në vitin 2035.
Skenari i “dallgës së gjelbër” nënkupton arritjen e një marrëveshje të gjerë normalizimi mes Serbisë dhe Kosovës në vitin 2019. Kështu Serbia bëhet anëtare e BE në vitin 2025, Kosova merr liberalizimin e vizave në vitin 2019, bëhet anëtare e të gjitha organizatave ndërkombëtare dhe pret t’i bashkohet BE në vitin 2037, dhe Serbia e mbështet anëtarësimin e saj. Por për këtë, Beogradi duhet të heqë dorë nga pretendimi territorial mbi Kosovën, dhe Kosova të themelojë Asociacionin e Komunave Serbe me disa fuqi ekzekutive.
Sipas ekspertëve, më i mundshëm është një kombinim i skenarëve të dytë dhe të tretë. Kjo nënkupton nënshkrime marrëveshjesh, por që nuk implementohen. Në marrëveshje njihet nga Beogradi autoriteti i Prishtinës në të gjithë territorin e Kosovës, por pa njohje të plotë diplomatike të Kosovës. Në të njëjtën kohë, Beogradi vazhdon të lobojë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizmat ndërkombëtare.
Në këtë analizë të ekspertëve e instituteve të studimit, skenari më i keq do të ishte shpërbërja e BE-së dhe kalimi i tij në një aleancë të lirshme ekonomike, duke bërë që të ngrijë procesi i zgjerimit me vende të Ballkanit Perëndimor. Në këtë rast BE humb levën ndikuese në Prishtinë dhe Beograd duke bërë që tensionet të përshkallëzohen deri në nisjen e një lufte të re në rajon. /abcnews.al