U mbajt sot në Tiranë Konferenca Ndërkombëtare për Qeverisje, në një panel diskutimi ku u fol për perspektivën e Shqipërisë në procesin e integrimit. Në fjalën e tij, organizatori i këtij forumi, Besnik Tahiri vlerësoi arritjet e deritanishme, ndërsa shtoi se Shqipëria, është kthyer në një praktikë më të mirë, përsa i përket qeverisjes së vet.
“Kjo konferencë ka për të diskutuar cështjet të cilat janë të zjarrta me rëndësi strategjike dhe do të japin drejtim cështjeve të politikave. Pse jemi në Shqipëri? Kjo është po ashtu një pyetje shumë e rëndësishme, sigurisht ngaqë është një vend mikpritës shumë shumë i mirë, ka një mjedis shumë të mirë për të bërë një aktivitet të tillë, por jo vetëm kaq. Shqipëria ka qenë një shembull që ka udhëhequr. Thjesht shkoni pak pas në kohë. Tre katër vite më parë. Kush do e besonte se Shqipëria do ishte në pararojë për procesin e integrimit në BE.
Kush do besonte se do të kishim më shumë se 10 milionë turistë brenda një viti. Kush do besonte se Shqipëria do të mirëpriste udhëheqësit evropianë për të diskutuar problemet botërore. Pra, Shqipëria e bëri. A mjafton kjo? Jo. Dhe prandaj është e rëndësishme që Shqipëria të mësojë nga praktika më të mira. Por po ashtu Shqipëria në fakt, është kthyer në një praktikë më të mirë, përsa i përket qeverisjes së vet.”
Programi i forumit u ndërtua mbi katër tema kryesore: Sfidat dhe mundësitë e qeverisjes në një botë që ndryshon me shpejtësi; Agjenda e integrimit evropian për Ballkanin Perëndimor; Reformat në sektorin publik në Shqipëri për katër vitet e ardhshme; Qeverisja vendore dhe reformat e decentralizimit. Eventi e ktheu Tiranën në pikë ndërkombëtare për diskutimin mbi qeverisjen, duke mbledhur së bashku liderë politikë, ambasadorë, ministra, ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare./abcnews.al

