Partia Demokratike ka reaguar pas konferencës së kryeministrit Edi Rama lidhur me situatën e zjarreve në vend, ku u ndanë edhe çmime për ata që punuan në fikjen e tyre.
Në një postim në rrjetet sociale, deputeti i zgjedhur i PD, Tomor Alizoti e ka cilësuar si propagandë të neveritshme, që sipas tij shet dështimin si sukses.
Demokrati thekson se duhet të japin llogari para ligjit ata që kanë shpërdoruar me detyrën dhe me korrupsionin e kudondodhur të këtij regjimi janë zjarrëvënësit e financave publike dhe fatkeqësia e qytetarëve shqiptarë.
“Sot, qytetarët dëgjuan edhe njëherë propagandën e neveritshme që prej shumë kohësh përmbys të vërtetën, për t’iu fshehur përgjegjësive dhe për ta shitur dështimin si sukses. Është e qartë për të gjithë, braktisja e forcave të ushtrisë dhe skuadrave të emergjencave civile. Ata u përballën me zjarret me mjete rrethanore ndërsa Rama, shëtiste me helikopterin që duhej të ndihmonte në përballjen me zjarret.
Mirënjohje partnerëve tanë euro-atlantikë dhe Kosovës, pa ndihmën e të cilëve dhe pa vullnetin e personelit të ushtrisë dhe emergjencave, të braktisur dhe lënë në mëshirë të fatit, kostot e keqmenaxhimit, paaftësisë dhe korrupsionit të këtij regjimi, do të ishin edhe më të frikshme për qytetarët dhe pasurinë tonë natyrore.
E domosdoshme që ligji të veprojë kundër zjarrvënësve, por edhe më rëndësishme që përpara ligjit të japin llogari ata që kanë shpërdoruar me detyrën dhe me korrupsionin e kudondodhur të këtij regjimi, të cilët janë zjarrvënësit e financave publike dhe fatkeqësia e qytetarëve shqiptarë,” shkruan Alizoti. g.v/abcnews.al