Konferenca e Kryetarëve për “Presidentin”, Mediu: Opozita ose të sjellë emër ose të largohet nga procesi

schedule10:40 - 17 Maj, 2022

schedule 10:40 - 17 Maj, 2022

Kuvendi i Shqipërisë dështoi dje të zgjedhë presidentin  ri të Republikës në raundin e parë. Seanca plenare e ditës së hënë e mbajtur në orën 17:00 zgjati vetëm 3 minuta dhe më pas u njoftua se nuk është regjistruar asnjë kandidaturë nga palët politike.

Ndonëse nuk kishte asnjë kandidat për t’u votuar, sipas Kushtetutës së Shqipërisë ky quhet si një raund votimi i ezauruar, dhe më pas do të vijohet me raundet e tjera. Pikërisht për të përcaktuar një datë të re, është mbledhur ditën e sotme Konferenca e Kryetarëve. Raundi i dytë, duhet të jetë brenda 7 ditësh, pra deri më 24 maj.

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu gjatë mbledhjes përsëriti edhe një herë qëndrimin e tij se opozita duhet të paraqitet me propozime konkrete pavarësisht sjelljes së mazhorancës. Në të kundërt, shtoi ai, të vendoset ndërprerja e marrjes pjesë në proces.

“Të mos bëjmë seanca bosh pa kuptim, por seanca me propozime konkrete. Mundësisht me kandidatura të negociuara mes pozitës dhe opozitës. Opozita, të mos bëhemi pjesë e një procesi fasadë e farsë, për të shkuar te raundi i katërt dhe i pestë.  Ose të vendosim ndërprerjen e pjesëmarrjes në këtë proces. Por ajo që kam bindjen është që ne duhet të vijmë me propozime pavarësisht sjelljes së mazhorancës.”

Lexo edhe: Dështoi raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit, çfarë ndodh tani?

Kujtojmë se Kushtetuta parashikon 5 raunde votimi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Në tre raundet e para, Presidenti duhet të zgjidhet me 3/5 e votave, pra 84 vota. Sipas ndryshimeve të bëra në Kushtetutë, në rast se në fund të tre raundeve nuk është zgjedhur ende një person, atëherë kalohet në raundin e katërt, ku Presidenti duhet të zgjidhet me 71 vota.

Nëse në raundin e katërt njëri prej kandidatëve të mbetur në garë nuk siguron 71 vota, kalohet për votim në raundin e pestë, ku sërish duhen 71 vota. Nëse dështohet edhe në raundin e pestë, atëherë shpërndahet Parlamenti dhe shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe do të jetë maxhoranca e re që do të zgjedhë Presidentin. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!