Konferenca e ambasadorëve/ Nazarko: Lajm i rëndësishëm, ja çfarë përmasash evidenton ky forum

schedule19:40 - 26 Gusht, 2024

schedule 19:40 - 26 Gusht, 2024

TIRANË- Në vitin 2027, Shqipëria do përgatitet për të mirëpritur samitin e NATO-s. Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së ambasadorëve dhe konsujve u shpreh se edhe vitin e ardhshëm vendi ynë do të presë 44 liderë evropianë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian.

Konferenca e ambasadoreve do diskutojë prioritetet e diplomacisë sonë ne kuadër të integrimit europian. Por, si duhet parë ky zhvillim në rrafshin e politikës kombëtare dhe ndërkombëtare të Shqipërisë?

Analisti Mentor Nazarko, i ftuar në “Edicionin Qendror” të lajmeve në ABC News me gazetaren, Juli Krisafi, u shpreh se ky samit dhe kjo konferencë është një lajm i rëndësishëm, të cilën duhet ta shohim në disa aspekte.

“Përpara se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje në lidhje me samitin e NATO-s në 2027 , por edhe atë të Komunitetit Politik Evropian në 2025, që është gjithashtu një samit i rëndësishëm global, ndoshta do duhet t’i përgjigjem asaj që ju nënvizuat në fillim që është konteksti, pra realizimi pas disa vitesh i një konference të ambasadorëve të Shqipërisë në të gjithë globin. Mendoj se ky është një lajmi rëndësishëm, sepse pavarësisht përmasave të vendit, kryeministri e nënvizoi atë vetëdijen e përmasave, midis lojtarëve individualë të diplomacisë shqiptare në botë, ambasadorëve, konsujve apo të ngarkuarve me punë duhet të ketë një koordinim, i cili do duhet të jetë i shtrirë në të gjithë vitin, gjithë kohën, përparimi teknologjik e mundëson këtë, në këtë kuptim, ky aktivitet e nënvizon nevojën e koordinimit të politikës dhe diplomacisë shqiptare në të gjithë globin në baza të përhershme. Madje nënvizon edhe koordinimin në dy përmasa të tjera. E para në baza rajonale. Pra, Shqipëria duhet të ketë një koordinim të veprimtarisë diplomatike në gjithë rajonin. I gjithë rajoni i Ballkanit është një hapësirë demografike e vogël, por që ka përqendrim të madhe të diplomacisë ndërkombëtare. Përmasa e tretë, që evidenton ky forum, është nevoja e koordinimit me Kosovën. Në momentin kur ne kemi objektiva kombëtar të përafërt, të njëjtë, në momentin kur kemi një shtet vëlla, apo bijë, quajeni si të doni, ne jemi të detyruar së pari ta informojmë Kosovën për zhvillimet diplomatike në kohë reale dhe të kemi një kanal informativ apo propozues të iniciativave diplomatike në kohë reale, i cili do duhet të funksionojë edhe midis ministrive të Jashtme, por edhe ndërmjet dy  presidentëve dhe kryeministrave të dy palëve. Ky është një zhvillim i madh”, tha ai.

Ai theksoi se mbajtja e Samitit të NATO-s në vitin 2027 është një tregues besueshmëri e Shqipërisë si vend anëtar.

“Zhvillimi i samitit të NATO në 2027 është tregues i besueshmërisë që ka Shqipëria si vend anëtar i NATO-, sepse është besueshmëri që lidhet me politikën e saj, por edhe parametrat e sigurisë që garanton për zhvillimin e një aktivitetit kaq të rëndësishëm dhe delikat, siç është Samiti i NATO.  Ky është një atribut, një CV, një biografi e Shqipërisë, e cila është dëshmuar edhe nga aktivitetet të tjera të ngjashme dhe më përpara, siç ishte aktiviteti i Procesit të Berlinit në Tiranë apo dhe aktiviteteve të tjera”, theksoi Nazarko.

I pyetur për integrimin në Bashkimin Evropian, Nazarko u shpreh se Shqipëria mund të anëtarësohet përpara 2030, pasi ky afat i largët shtoi ai është objektiv kolektiv për të gjithë vendet e Ballkanit  Perëndimor.

“Unë mendoj se Shqipëria është më afër se 2030. 2030 mendoj se është një afat i largët, afat kolektiv që duhet menduar se është i përbashkët edhe me vendet e tjera të Ballkanit”, tha ai./ n.m.abcnews.al