Shqipëria është mikpritëse e Konferencës së 3-të të Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s, ku marrin pjesë delegacione nga 32 vendet anëtare të Aleancës, të përfaqësuara nga përfaqësues të ministrive të jashtme, të mbrojtjes si dhe ambasadorë për çështjet kibernetike.
Ky forum i nivelit të lartë shërben si një pikëtakim strategjik për shkëmbimin e përvojave, forcimin e partneriteteve dhe ndërtimin e strategjive të përbashkëta përballë sfidave gjithnjë në rritje në fushën e sigurisë kibernetike.
Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama theksoi përkushtimin e Shqipërisë për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse digjitale, duke nënvizuar përvojën e vendit përballë një sulmi kibernetik të paprecedentë dhe hapat e ndërmarra për të garantuar sigurinë dixhitale të infrastrukturës shtetërore.
Ai vuri në dukje se Shqipëria është bërë një nga vendet e para që ka përqafuar shërbimet publike online në mënyrë të plotë, dhe se vendi ka ndërtuar një nga sistemet më të avancuara të mbrojtjes kibernetike në kuadër të NATO-s.
“Është një nder të kesh kaq shumë shtete miqësore të mbledhur këtu dhe është kënaqësi që t’iu mbështesësh. E para do të thoja që qeveritë marrin meritën ose fajin për atë që duhet, por kurrë nuk marrin meritë për atë se çfarë parandalohet. Nëse qeveritë do të gjykoheshin mbi të dhënat reale për ato që pritet të parandalojnë, mendimi do ishte shumë më ndryshe. Ndryshe nga shumë ju, ne na u desh të përballemi dhe e pamë veten në mes të një sulmi kiberentik që synoi infrastrukturën tonë digjitale.
Ne kemi investuar në mënyrë që të bëjmë një kapërcim dhe të lëmë pas krahëve. U bëmë nga të parat vende që nuk kishin sporteleve për shërbime dhe sollëm 90% të tyre brenda në xhepat e tyre. Ky ishte synimi një investim i jashtëzakonshëm. Jam shumë krenar të them që kemi një prej mureve më të mira mbrojtëse të sulmeve kibernetike të NATO-s. Sot përballemi me një sulm kibernetik në çdo tre minuta, por kemi arritur t’i sprapsim. Kemi pasur 48 sulme që kanë lënë gjurmë, por nuk kanë lënë asnjë pasojë. Jemi mes të mirëve. Jemi mes të parëve që kombinuam sulmet kibernetik me inteligjencën artificiale. I mbijetuam një sulmi kibernetik që na vijn në shëngjestër çdo ditë”, tha kryeministri Edi Rama./abcnews.al

