Ish-presidenti Ilir Meta ka komentuar koncertin e mbrëmshëm që u zhvillua në sheshin “Skënderbej”, në kuadër të 100-vjetiorit të miqësisë mes SHBA-ve dhe Shqipërisë si edhe për hapjen e negociatave.
Meta tha se nuk ka marrë asnjë ftesë për pjesëmarrje, duke thënë se nuk është momenti që Shqipëria të shpenzoje kaq shumë para për evente të tilla, teksa vendi ndodhet në situatë varfërie.
Ai tha se ai ishte i ftuar në një darkë nga Presidenti, Bajram Begaj ku e pranishme ishte dhe ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim.
“Unë kam qenë i ftuar nga Presidenti i Republikës në një darkë ku ishte dhe ambasadorja amerikane dhe përfaqësues të ndryshëm të institucioneve. Në ftesat që kam pasur nga Presidenti dhe ambasadat. Kam dëgjuar dhe një fjalim qesharak të një halldupi aty, por për shkak të marrëdhënieve me SHBA, kam qëndruar me durim.
Nuk mendoj që është momenti në këto situate varfërie për të harxhuar miliona euro për festa dhe gjëra të tilla. Është e drejtë e tyre. Përkushtimi më serioz në marrëdhëniet me SHBA, është lufta kundër korrupsionit. Në këto vite, Shqipëria ka rënë 27 vende për korrupsionin. Angazhimi më i madh i Partisë së Lirisë është revolucioni antikorrupsion” , tha Meta.
/abcnews.al/