Teatri Metropol e çel sezonin artistik me një koncert jazz kushtuar figurës së Gjon Milit. I titulluar “Imazhi Jazz i Gjon Milit”, ky koncert ka për qëllim të promovojë figurën e Gjon Milit, si pjesë e Trashëgimisë Kulturore dhe Artistike nëpërmjet rrymës muzikore Jazz.
Sapo përmend emrin e Gjon Milit, menjëherë të shfaqen imazhet fotografike me të cilën la gjurmë të mëdha në kohën ku jetoi dhe jehona e tyre vazhdon në ditët tona, por artistët e formacionit muzikor “Blackie band” me koncertin “Imazhi Jazz i Gjon Milit”, sjellin një anë tjetër të artistit. Ideatori i këtij projekti pianisti Andi Kongo rrëfen edhe shkëndijën e parë për këtë koncert.
Kongo thotë se mjeshtrit dhe inovatorit të fotografisë Gjon Mili, në Shtetet e Bashkuara, i njihet merita edhe si pionier i videoklipit muzikor, filmi “Jammin the Blues realizuar në vitin 1944.
Pianisti i ka dedikuar edhe një krijim figurës së Gjon Milit. Në koncert do të ketë disa krijime të viteve 40-60 të cilat janë regjistruar nga Mili me muzikantët më të njohur të kohës, por nuk do të mungojnë edhe krijimet frymëzuar nga muzika shqiptare.
Mili ndikoi artistikisht në muzikën Jazz edhe me fotografitë e realizuara në studion e tij fotografike gjatë “Jam Sessions” (koncerte të improvizuara me muzikantë të njohur të skenës Jazz të viteve ’40), të cilat u botuan në revistën “Life”, thekson Kongo.
Këto fotografi shoqëruan edhe pllakat muzikore “Victory Disks” (V-Disc), të cilat u shpërndanë gjatë Luftës së Dytë Botërore si mjet motivues për ushtarët amerikanë dhe popujt e pushtuar, në luftën kundër nazistëve.
Koncerti do të përmbajë pjesë muzikore të zgjedhura nga filmat e Gjon Milit, por, gjithashtu, edhe krijimtari dhe përpunime të muzikës shqiptare, në vazhdimësi të “imazhit” Jazz që Mili na ka lënë si trashëgimi.
“Imazhi Jazz i Gjon Milit” do të mbahet mbrëmjen e 21 shtatorit në sallën Shekspir të Metropolit. /ABC News Albania 24/7