Kompozitori Kozma Lara rrëfen një jetë me muzikën e frymëzuar nga deti

schedule16:57 - 16 Dhjetor, 2018

schedule 16:57 - 16 Dhjetor, 2018

Kompozitori i njohur Kozma Lara na rrëfen emocionet e të jetuarit nën efektin e tingujve muzikorë. “Artisti i merituar” në një intervistë për ABC News rrëfen frymëzimin që ka marrë gjithnjë nga deti i vendlindjes së tij Durrësit në krijimtarinë e tij.

Kozma Lara është padyshim një prej kompozitorëve, të cilët i kanë dhënë shumë muzikës shqiptare. Ai ka lëvruar thujase çdo zhanër të muzikës serioze dhe ku vazhdon të krijojë edhe sot. Ajo çfarë e karakterizon këtë artist është modestia.

“Muzika në përgjithësi që unë e barazoj me tinguj merr jetë sikur të jenë një ose dy tinguj. Ata bëjnë shumë jo vetëm në sferën intelektuale, por edhe në atë të gjallën. Të dyja sëbashku komunikojnë me njëra tjetrën dhe na japin pikërisht atë madhoren, atë që mishërohet në një vepër qoftë e vogël ose e madhe”, tha kompozitori.

Kozma Lara jeton një jetë nën tingujt muzikorë, ndaj ai nuk i reziston edhe improvizimit mbi tastet e pianos. Miqtë e tij artistë në Akademinë e Shkencave nxorrën në pah vlerat e tij në krijmtarinë muzikore, ku Lara jetoi emocione të veçanta. Teksa rrëfen plot pasion për të shenjtën muzikë, pranon se aroma e detit ka qenë një frymëzimi i pashtershëm për profesor Kozma Larën.

“Vij nga një qytet bregdetar që u rrita me ndjenja të fuqishme që mora pikërisht nga deti i pafund. Sa herë që shkoja unë vështroja gjithnjë nga deti për të zbuluar enigmën e pafundësisë. Po s’e gjeta asnjëherë. Kaq ishte i madh deti! Ç’është e vërteta ky ballafaqim me detin, fillova të bisedoj, krijova monologun me të. Siç ishin dallgët njëherë të fuqishme që më ndihmuan me kuptu dramaturgjinë muzikore. Kontrasti midis tyre po edhe numeriteti që ekziston edhe midis tyre”, tha ai.

Por ajo që e gëzon më fort sot është liria. Ai thote se e ka sfiduar edhe diktaturën e kornizave në këtë formë.

“Sot kam kohën në dispozicion. Jam i lirë. Ashtu siç kam qenë i lirë dhe në trajtimin e veprave të mia. E kam sfiduar sipas mendimit të diktaturës, e cila qe sfida e parë. Unë duke qenë pianist e pashë që qysh në këngët kishte qëndrime ideologjike, politike të krijuesve. Unë nuk ia dal thashë. Jam me temperament shumë emocional dhe shkruajta në një literaturë që e pranonte piano. Sfidova pak a shumë atë gjendje shumë të vështirë. Ato ngacmime që jepnin nga koha në kohë dhe kur mora vesh që krijuesit e tjerë, piktorë më vinte shumë keq. Atëherë pse ta bëj unë këtë? Sepse kafshët që ishin në fuqi nuk e kuptonin muzikën serioze”, tha Lara.

E ndjen veten me fat që një pjesë të krijmtarisë e ka botuar dhe brezi i ri. I ka ndër duar partiturat e tij, për t’i luajtur në koncerte të ndryshëm.

“Pjesë të krijimtarisë time është e botuar në kohët e fundit, në tre volume. Janë sonatat e mia. E vështirë në zhanrin simfonik që marrin e i japin njëra-tjetërs pranë. Është ajo që krijon aty përmbajtje të karakterit, atij detit që them unë. Janë kontraste kaq të nevojshme për t’i aplikuar në format e mëdha të muzikës, qofshin këto simfonike apo instrumentale”, u shpreh ai.

Por ai vlerëson edhe pianisten e re Ana Kaçinarin e cila interpretoi sonatën nr. 7 të tij.

“I ra shumë bukur. E kishte kuptuar mesazhin tim dhe interpretimi i saj më shtyu të them se është përfaqësuese e gjeneratës së re. Çfarë mund të bëjë gjenerata e re? Shumë gjëra. Respekton traditën. Me ato veçori që marrin duke i parë me profesionalizëm, me një optikë të re ato karakteristika të reja, bashkëkohore që i kërkon vetë jeta jonë”, u shpreh ai.

Megjithëse aktualisht është i fokusuar tek këngët, ai renditet në sërën e kompozitorëve që lanë pas një thesar të muzikës serioze të gjinive të ndryshme.

“Historia do të evidentojë vlerat e saj. Krijuesit tanë, kompozitorët në atë kohë kanë krijuar vepra ç’është e vërteta, opera simfoni. Sot ka një vakuum. Kur meditojmë sot për krijimtari muzikore, për kompozitorët që kanë shkruar me pasion kjo mungon në kohën e sotme”, theksoi Lara.

Kompozitori i mirënjohur, autor i shumë krijimeve muzikore: kuartete, trio, romanca, rapsodi intervistën për ABC News e përmbyll  me një këshillë për brezin e ri.

“Muzikë do thoja në vazhdim të asaj që kemi krijuar duke respektuar momentet, veçoritë, identitetin kombëtar në përgjithësi, traditën. Vetëm në saj të kulturës që marrin, fitojnë, kulturë e cila jo vetëm të jetë për artin muzikor, por edhe ana tjetër, të njohin letërsinë e këtij vendi, poezinë e këtij vendi. Është një domosdoshmëri për të kompletuar atë që thoni ju se pa këto nuk mundet të krijosh”, përfundoi kompozitori.

/abcnews.al