Kompanitë e sigurimit refuzojnë të paguajnë për “DH Albania”

schedule22:09 - 19 Dhjetor, 2018

schedule 22:09 - 19 Dhjetor, 2018

Shteti shqiptar nuk arrin të arkëtojë shumën prej 4.1 milionë dollarësh që kompania “DH Albania” kishte lënë si garanci të kontratës që fitoi me anë të falsifikimit dhe mashtrimit për ndërtimin e lotit të parë të Unazës. Shoqëritë e sigurimit “Sigma” dhe “Sigal”, që kanë bërë garancinë e kontratës shprehen se nuk kanë siguruar vërtetësinë e dokumentacionit, por zbatimin e kontratës. Në këto kushte çështja pritet të përfundojë në gjykatë.

Shteti shqiptar nuk do të mund të arkëtojë vlerën e garancisë se dy kontratave me vlerë 30 milionë euro që kompania “DH Albania” fitoi përmes falsifikimit të dokumentave dhe mashtrimit. Kompanitë e sigurimit të kontratave të lotit të parë të Unazës së Madhe dhe realizimin e punimeve për linjën 220 kilovolt Burrel-Peshkopi, refuzojnë që të derdhin pagesën për llogari të “DH Albania”.

Konfisikimi i garancive u njoftua në një konferencë për shtyp nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri. Menjëherë Autoriteti Rrugor dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit dërguan shkresat për konfiskimin e garancisë pranë dy kompanive “Sigal” dhe “Sigma”. Por televizioni Klan ka mësuar të dyja kompanitë kanë refuzuar pagesën, duke i dërguar edhe një shkresë zyrtare të dyja institucioneve publike.

Televizioni Klan bisedoi me drejtues të kompanive, të cilët sqaruan se garancia që kompanitë e sigurimit kanë bërë për “DH Albania” lidhet me realizimin e kontratës dhe jo me prishjen e njëanshme të saj nga autoritetet kontraktore në kushtet e mashtrimit. Drejtori i kompanisë “Sigma”, Klajdi Citozi tha se edhe vetë kompanitë e sigurimit janë të mashtruara, çka bën që vetë kontrata të ketë rënë. Firma e tij, tha ai,  ka marrë përsipër të garantojë realizimin e punimeve dhe jo vërtetësinë e informacionit.

Edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar pranon se garancia është refuzuar të paguhet, ndërsa ka dërguar një tjetër kërkesë për vjeljen e saj pranë dy shoqërive të sigurimit. Nëse sërish do të ketë refuzim, këtë çështje do ta zgjidhë gjykata, tha drejtori i ARRSH-së Afrim Qëndro, në një bisedë telefonike.

Qeveria kërkon që të vjelë nga dy kompanitë e sigurimit shumën prej 4.1 milion dollarësh, si garanci e lënë për realizimin e kontratës nga “DH Albania”, e cila rezulton të ketë mashtruar edhe shoqëritë e sigurimit. Televizioni Klan kontaktoi edhe me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, i cili sqaroi se nuk ka bazë ligjore që të veprojë në situata të tilla, e se çështja e me të gjitha gjasat do të përfundojnë në gjykatë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!