Kompania ajrore turke akuzohet për bashkëpunim në rrëmbimin e 6 turqve 

schedule11:05 - 23 Maj, 2018

schedule 11:05 - 23 Maj, 2018

Kompania ajrore turke me të cilën u transportuan nga Kosova në Turqi gjashtë shtetasit turq të akuzuar për lidhje me Fetullah Gulenin para dy muajsh, akuzohet tashmë për bashkëpunim në rrëmbim personi dhe rrezikon deri në një million euro gjobë.

Drejtori i Aviacionit Civil të Kosovës, Driton Gjonbalaj deklaroi se kompania ajrore me të cilën u deportuan gjashtë shtetasit turq ka gënjyer institucionet e kosovare për qëllimin e fluturimit. Gjonbalaj tha se leja ishte kërkuar për fluturim komercial duke theksuar se institucioni që ai drejton nuk është i përfshirë drejtpërsëdrejti në këtë proces. Ai shtoi se aktualish po shqyrtohet mundësia e ndërmarrjes së masave ndaj kompanisë e cila bëri transportimin e gjashtë qytetarëve turq që jetonin në Kosovë të cilët u deportuan më kërkesë të Turqisë, pasi akuzoheshin për pjesëmarrjen në përpjekje për grusht shteti në vitin 2016. Gjonbalaj tha se kompania “Birlesik Insaat” mund të përballet me një dënim deri në një milion euro.

Më 29 mars, me kërkesë të autoriteteve turke, Policia e Kosovës arrestoi dhe dëboi në Turqi gjashtë qytetarë turq, pesë prej tyre punonjës në shkollën “Mehmet Akif”, ndërsa i dëbuari i gjashtë ishte mjek turk. Për këtë deportim, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës deklaruan se nuk u informuan paraprakisht.

Autoritetet e sigurisë në Kosovë, i deportuan me arsyetimin se ata pëbënin rrezik për sigurinë kombëtare, duke i revokuar fillimisht të drejtën e qëndrimit dhe më pas i deportuan nga Kosova për në Turqi, në bashkëpunim me shërbimin turk të inteligjincës.

Pas deportimit të tyre, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pezulloi ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj, dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi.

Shkollat “Mehmet Akif” në Kosovë i përkasin Institucionit Arsimor Gylistan. Ky i fundit ka kopshte, institucione parashkollore, shkolla fillore dhe të mesme në gjithë Kosovën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!