Akuzat për mungesën e tamponëve, Komiteti Teknik i përgjigjet Bashës

schedule14:15 - 31 Tetor, 2020

schedule 14:15 - 31 Tetor, 2020

Komiteti Teknik i Ekspertëve i ekspertëve i është përgjigjur kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas akuzave të këtij të fundit ditën e sotme.

Basha tha mes të tjerash se ISHP refuzon testimin e pacientëve. Po ashtu, Basha tha se ata janë fasadë e Edi Ramës dhe se nuk po tregohen shifrat reale të pandemisë. Ndërsa në një deklaratë për mediat, Komiteti i bën thirrje krydemokratit të tërheqë akuzat e bëra në adresë të anëtarëve.

“Ne mendojmë se strategjia që kemi ndjekur deri më sot, ia ka dalë të minimizojë numrin e infeksioneve dhe fataliteteve të shkaktuara nga koronavirusi, gjë që e tregojnë fare qartë edhe shifrat krahasuese me vendet e rajonit, dhe ato të Evropës”, thuhet në deklaratë mes të tjerash.

Deklarata e plotë: 

Me keqardhje dhe indinjatë të thellë, dëgjuam akuzat e bëra ndaj nesh nga ana e Kryetarit të Partisë Demokratike, Z. Lulzim Basha.

U bë kohë që përveç përballimit të një situate shumë të vështirë, siç është ajo e pandemisë së Covid-19, jemi gjendur të sulmuar dhe të fyer në punën tonë, duke filluar nga kryetari i PD dhe disa pak politikanë të tjerë.

Ne, anëtarët e Komitetit Teknik të ekspertëve, jemi profesionistë të fushës sonë dhe sot, jemi pjesë e këtij Komiteti, të ngritur në zbatim të Ligjit mbi Epidemitë, për t’i shërbyer qytetarëve shqiptarë në këtë kohë tejet sfiduese

Ne nuk jemi “fasadë” e askujt, siç deklaron Z. Lulzim Basha. Ne nuk pranojmë akuzat për dështim në punën tonë, të bëra nga një kryetar partie, formimi profesional i të cilit nuk ka se si t’ia lejojë të bëjë gjykime në lidhje me punën e këtij komiteti.

Në çdo ditë të punës sonë, ne udhëhiqemi vetëm nga parimet e profesionalizmit dhe çdo vendim që kemi marrë, e kemi marrë duke u bazuar vetëm në këto parime.

Ne mendojmë se strategjia që kemi ndjekur deri më sot, ia ka dalë të minimizojë numrin e infeksioneve dhe fataliteteve të shkaktuara nga koronavirusi, gjë që e tregojnë fare qartë edhe shifrat krahasuese me vendet e rajonit, dhe ato të Evropës.

Siç është shprehur edhe kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përdorimi politik i pandemisë i shërben vetëm përkeqësimit të situatës dhe është i dëmshëm për mbrojtjen e shëndetit publik.

I bëjmë thirrje Z. Basha që të tërheqë akuzat e bëra në adresë të anëtarëve të Komitetit Teknik të Ekspertëve, të heqë dorë nga përpjekja për baltosjen e punës së autoriteteve shëndetësore, që në këto kohë të pandemisë po bëjnë një sakrificë të jashtëzakonshme.